Të martën do të diskutohet procesi i zgjerimit në Luksemburg në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, por nuk pritet ndonjë vendim i rëndësishëm, për vendet që presin zyrtarizimin e fillimit të negociatave. Dhe Shqipëria këtë herë duket se penalizohet nga Maqedonai e Veriut.
Sipas burimeve të Radio Evropa e Lirë janë shuar të gjitha gjasat që në këtë takim të miratohen kornizat për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo për shkak se Bullgaria nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi për Maqedoninë e Veriut dhe si pasojë disa vende nuk dëshirojnë që të diskutohet dhe vendoset vetëm për Shqipërinë.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian të dyja këto vende kandidate i kanë përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit, por vendimi për një hap të tillë merret në Këshill vetëm nëse të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së bien dakord për një gjë të tillë. Të martën do të zhvillohen të ashtuquajturat konferenca ndër-qeveritare mes BE-së dhe Malit të Zi, dhe BE-së me Serbinë.
Ato do të jenë vetëm të karakterit politik dhe nuk do të përfshijnë hapjen apo mbylljen e ndonjë kapitulli negociues. Sakaq, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë nisur takimin e tyre në Luksemburg për një sërë temash, që nga situata në Bjellorusi dhe deri te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
(E.H/Faxweb.al)