Si do të regjistrohen pagesat me faturë elektronike te administrata tatimore, miratohet udhëzimi për fiskalizimin

0
245

Regjistrimi i pagesave të faturave elektronike mes bizneseve, por edhe për transaksionet mes tyre dhe institucioneve financiare bankare dhe jobankare do të kryhen sipas udhëzimit të miratuar nga Ministria e Financave.

Në Fletoren Zyrtare u botua udhëzimi që përcakton se bankat dhe institucionet e tjera financiare jobankare, që ofrojnë shërbime të pagesave pa para në dorë, duhet të informojnë administratën tatimore për çdo transaksion të kryer gjatë çdo dite pune, për llogari të biznesit. Detyrimi për regjistrimin e pagesave me faturë elektronike te administrata tatimore do të jetë edhe për biznesin.

Në udhëzim thuhet se për rastet kur pagesa nuk është kryer përmes llogarisë bankare ose ka pasur një gabim gjatë verifikimit të administratës tatimore të mesazhit të marrë, biznesi që ka lëshuar faturën elektronike regjistron vetë pagesën e marrë, duke përdorur platformën qendrore të faturave në llogarinë e tij të përdoruesit, por jo më vonë se data 10 e muajit vijues.

Procedurat për regjistrimin e pagesave me faturë elektronikë nisin zbatimin nga 1 shtatori, kur nis faza e para e procesit të fiskalizimit për transaksionet me para në dorë për biznesin me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit. Procesi do të shtrihet edhe në 4 faza të tjera, ku në fazën e dytë që nis nga 1 janari 2021, fiskalizimi do të jetë për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatim të thjeshtuar mbi fitimin me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë.

Nga 1 janari 2021, për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit subjekt të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me të ardhura vjetore deri në 2 milionë lekë; më 1 janar 2021, për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike; më 1 korrik 2021, për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve.

Udhëzimi

Qëllimi i udhëzimit Ky udhëzim përcakton elementet teknike të regjistrimit të pagesave të faturave elektronike, siç përcaktohet nga ligji nr. 87/2019, datë 18.12.2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” (më tej referuar si “ligji”), për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe organeve publike.

Njoftimi për pagesat e faturave elektronike

  1. Sipas nenit 37, të ligjit, bankat, institucionet e tjera financiare jobankare dhe subjekte të tjera, të cilat ofrojnë shërbime të pagesave pa para në dorë, detyrohen të regjistrojnë dhe të informojnë administratën tatimore për çdo pagesë të kryer gjatë çdo dite pune, në emër dhe për llogari të klientëve të tyre.
  2. Njoftimi i përmendur në pikën 1 të këtij neni bëhet vetëm për pagesa të faturave elektronike, të lëshuara në transaksione midis dy tatimpaguesve ose ndërmjet një tatimpaguesi dhe një organi publik.
  3. Njoftimi bëhet me mjete elektronike, përmes lidhjes në internet me sistemin e informacionit të administratës tatimore, deri në fund të çdo dite pune dhe këto të dhëna duhet të kenë informacion të veçantë për secilën faturë të paguar dhe shumën që është paguar.
  4. Pas marrjes së urdhrit të pagesës, banka ose institucioni tjetër financiar jobankar verifikon nëse janë paraqitur të gjithë të dhënat sipas pikës 3, të nenit 4, të këtij udhëzimi dhe nuk ka detyrimin për të kontrolluar saktësinë e këtyre të dhënave të paraqitura.

Detyrime të institucionit që ofron shërbime të pagesave

  1. Pasi të kryhet pagesa, banka ose institucioni tjetër financiar jobankar ka detyrimet e mëposhtme:
  2. a) pika e hyrjes së bankës ose e institucionit tjetër financiar jobankar (që mund të jetë pajisja elektronike e përdorur ose sistemi i informacionit i përdorur, që do të thotë zgjidhja e certifikuar softuerë-ike e përdorur) përgatit informacionin për pagesat dhe mesazhin e kërkesës XML dhe e nënshkruan atë elektronikisht me çelësin privat të certifikatës elektronike; b) pika e hyrjes inicion një komunikim të sigurt me një drejtim, përmes të cilit serveri i administratës tatimore e paraqet veten me certifikatën e serverit; c) pasi të vendoset me sukses komunikimi i sigurt, bëhet një thirrje e shërbimit të fiskalizimit; ç) sistemi i informacionit i administratës tatimore merr dhe përpunon mesazhin e kërkesës. Nëse kërkesa përpunohet me sukses, ky sistem përgatit një mesazh përgjigjeje XML, e nënshkruan në mënyrë elektronike me çelësin privat të certifikatës elektronike dhe ia dërgon bankës ose institucionit tjetër financiar jobankar; d) pika e hyrjes së bankës ose e institucionit tjetër financiar jobankar merr një mesazh përgjigjeje dhe verifikon nënshkrimin elektronik me çelësin publik të aplikacionit të certifikatës elektronike; dh) banka ose institucioni tjetër financiar jobankar ruan mesazhin e marrë në format elektronik.
  3. Të dhënat, të cilat për nevoja të regjistrimit të pagesave i dërgohen Administratës Tatimore Qendrore, sipas mënyrës së përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, duhet të përmbajnë të paktën, elementet e mëposhtme: a) numrin unik të identifikimit të subjektit pagues (NUIS/NIPT të blerësit të mallrave ose shërbimeve); b) numrin unik të identifikimit të subjektit (NUIS/NIPT) që ofron shërbimet e pagesës; c) NIVF-në (Numri Identifikues i Veçantë i Faturës) e faturës së paguar apo në raste të veçanta NSLF-në (Numri i Sigurisë së Lëshuesit të Faturës), nëse në faturë nuk ka NIVF, në përputhje me nenin 29 të ligjit; ç) shumën e paguar; d) datën e pagesës.
  4. Pas marrjes së mesazhit nga banka ose institucioni tjetër financiar jobankar, administrata tatimore kryen verifikimet e mëposhtme: a) verifikimi i autorizimit (verifikimi i nënshkrimit elektronik dhe verifikimi i certifikatës elektronike); b) verifikimi i formalitetit (verifikimi i mesazhit XML, në lidhje me skemën e përshkruar XML, përfshirë verifikimin nëse dërguesi i mesazhit ka plotësuar të gjithë elementet e kërkuar nga skema); c) verifikimi i përmbajtjes, që përfshin: i. verifikimin e NIPT-it të paguesit. Paguesi konsiderohet të jetë blerësi ose tatimpaguesi tjetër, i cili është i detyruar të paguajë faturën elektronike të lëshuar për furnizimin e mallrave ose shërbimeve; ii. verifikimin e NIPT-it të bankës ose institucionit tjetër financiar jobankar; iii. verifikimin e NIVF-së ose NSLF-së të faturës elektronike të paguar; iv. verifikimin e shumës së paguar në krahasim me shumën e deklaruar në faturë etj.
  5. Sistemi i informacionit të administratës tatimore kthen një mesazh përgjigjeje XML në pikën e hyrjes së bankës ose të institucionit tjetër financiar jobankar, që përmban përshkrimin e gabimit, nëse pas përpunimit të mesazhit të kërkesës, sipas pikës 1 të këtij neni, ndodhin gabimet si më poshtë: a) gabimi i sistemit gjatë përpunimit të kërkesës; b) ndonjë gabim teknik ose; c) gabimi ka të bëjë me certifikatën elektronike. Nëse konstatohet ndonjë gabim si rezultat i përgjegjësisë së bankës ose i institucionit tjetër financiar jobankar, banka ose institucioni tjetër financiar jobankar detyrohet të korrigjojë gabimin dhe të përsërisë procedurën. Nëse gabimi nuk është shkaktuar nga banka ose institucioni tjetër financiar jobankar, banka ose institucioni tjetër financiar jobankar duhet të informojë paguesin/blerësin për gabimin, brenda 24 orëve nga marrja e mesazhit.
  6. Nëse paguesi nuk është klient i bankës ose i institucionit tjetër financiar jobankar, që ka kryer pagesën, atëherë banka ose institucioni tjetër financiar jobankar nuk ka asnjë detyrim për njoftimin e gabimit të hasur gjatë procedurës së verifikimit nga administrata tatimore.
  7. Nëse NIPT-i i paguesit të paraqitur është i saktë, sistemi i informacionit i Administratës Tatimore i dërgon mesazh gabimi paguesit /blerësit në llogarinë e tij të përdoruesit në platformën qendrore të faturave. Paguesi/blerësi është i detyruar të korrigjojë gabimin dhe të informojë për këtë bankën ose institucionin tjetër financiar jobankar, që ofron shërbime pagese, në mënyrë që të përsëritet procedura e parashikuar në pikën 3, të nenit 2, të këtij udhëzimi.
  8. Sipas ligjit, nuk ka asnjë kufizim mbi sasinë e pagesave për secilën faturë elektronike (për shembull, nëse blerësi paguan vetëm një pjesë të shumës së faturës) dhe as mbi pagesat në grup të disa faturave të lëshuara nga i njëjti tatimpagues, por banka ose institucioni tjetër financiar jobankar, duhet të njoftojë administratën tatimore për shumën e saktë të paguar për çdo faturë në çdo ditë.
  9. Nëse pagesa është shlyer nga banka qendrore (blerësi dhe shitësi përdorin banka të ndryshme), detyrimi për të raportuar pagesën e faturës është për bankën dërguese ose institucionin tjetër financiar jobankar dërgues, pra për bankën ose për institucionin tjetër financiar jobankar që dërgon pagesën dhe jo për bankën ose institucionin tjetër financiar jobankar që e pranon atë.
  10. Në rast të transferimeve hyrëse ndërkombëtare, nuk ka asnjë detyrim për raportimin e pagesave, pasi detyrimi i njoftimit përcaktohet vetëm për bankën ose institucionin tjetër financiar jobankar që bën pagesën dhe jo për atë që e merr.

 Detyrime të tatimpaguesit që merr apo kryen pagesa

  1. Nëse tatimpaguesi merr pagesë për një faturë elektronike të lëshuar dhe kjo pagesë nuk është raportuar në administratën tatimore nga banka ose institucioni tjetër financiar jobankar, për arsye të ndryshme (për shembull, pagesa nuk është kryer përmes llogarisë bankare ose ka pasur një gabim gjatë verifikimit të administratës tatimore të mesazhit të marrë, ose për arsye të parashikuara në pikën 8, të nenit 37, të ligjit), tatimpaguesi që ka lëshuar faturën elektronike regjistron vetë pagesën e marrë, duke përdorur platformën qendrore të faturave në llogarinë e tij të përdoruesit, por jo më vonë se data 10 e muajit vijues.
  2. Tatimpaguesi që lëshon fatura procedon sipas mënyrës së përmendur në pikën 1 të këtij neni, edhe në rast të realizimit të pagesës përmes kompensimit, transferimit të të drejtave ose borxheve, heqjes dorë nga borxhet e raste të ngjashme.
  3. Tatimpaguesi që kryen pagesën, kur dorëzon në bankë ose në institucionin tjetër financiar jobankar urdhrin e pagesës së faturave elektronike të marra, duhet të paraqesë së paku informacionin e mëposhtëm: a) NIPT-in; b) informacionin për NIVF-në e faturës elektronike, me të cilën ka të bëjë urdhri i pagesës ose në mënyrë të veçantë NSLF-në, kur nuk ka NIVF në faturë, në përputhje me nenin 29 të ligjit; c) shumën për t’u paguar. Tatimpaguesi që plotëson urdhrin e pagesës është përgjegjës për korrektësinë dhe saktësinë e këtyre të dhënave.

monitor