Duke parë se çfarë po ndodhte në Italinë fqinje, rezistenca e pronarëve të aktiviteteve të mbyllura ishte thuajse zero. Dukshëm ishim përballë një të panjohure të rrezikshme dhe gjithsecili, pavarësisht demit ekonomik që do të pësonte, u pajtua me vendimet e qeverisë.
Pas pothuajse tre muajve, me rihapjen e ekonomisë, qeveria njoftoi hapjen e bar-kafeve, të cilët ishin të fundit në listën e aktiviteteve që do të lejoheshin, protokollet ishin mjaft strikte, duke i lenë të mbyllura gjithë bar-kafetë që nuk mund të ofronin shërbim në ambient të hapura.
Edhe pse me protokolle strikte, këto biznese filluan të merrnin frymë, një pjesë e mirë e punonjësve u rikthyen në punë dhe sinjalet ishin mjaft pozitive. Por nëse bar-kafetë, restorantet, lounget u lejuan, nuk mund të themi të njëjtën gjë për klubet e natës. Urdhri Nr. 351, datë 29.05.2020 i Ministrisë së Shëndetësisë la të mbyllura klubet e natës, ashtu sikundër pishinat dhe aktivitetet kulturore, teatrot e kinematë.
Vlen për t’u përmendur që kishte disi tolerancë nga autoritetet për të mos goditur me “çekiç”, edhe ata që nuk po respektonin me rigorozitet urdhrin e mësipërm dhe në këtë formë, gjithkush po përpiqej të mbijetonte.
Rritja e rasteve me COVID-19 bëri që gishti të drejtohej pikërisht nga këto aktivitete, si fajtore apo vatra potenciale për përkeqësimin e situatës, dhe me aktin normativ të fundit të datës 20 korrik, u shumëfishuan penalitetet dhe u shtuan kufizimet e tjera (kujtojmë ndalimin e muzikës pas orës 20:00).
Koncepti i përgjithshëm është që janë biznese argëtimi, dhe si të tilla, mund të mbyllen pa problem, pasi nuk janë jetike për shoqërinë. Por nëse për shoqërinë janë biznese argëtimi, nuk janë aspak të tilla për të punësuarit në këto biznese, për të punësuarit apo dhe familjet e tyre janë vend pune për t’u ushqyer, mund të jenë gjithçka, por jo argëtim. E nëse të punësuarit dhe pronarët janë pala e goditur drejtpërdrejt, zinxhiri vazhdon dhe me të tjera palë të lidhura.
Furnitorët, shërbimet e pastrimit, të sigurisë etj., të gjitha këto të lidhura me këto biznese të “argëtimit”, e për më tej, edhe argëtimi është një nga mekanizmat e motorit të madh të makroekonomisë. Ai qarkullimi i munguar i biznesit të argëtimit ka një efekt jo të vogël në ekonominë në tërësi.
Nëse në fillim të izolimit, të gjithë po prisnim që do të kalojë piku dhe të kthehemi në normalitet, tani të gjithë jemi të bindur që askush nuk e di se kur do të vijë “normaliteti”, e nëse qeveria vazhdon t’i lërë të kyçura, me qindra punonjës bashkë me familjet e tyre do të mbeten në vështirësi serioze ekonomike.
Vetëm në një rrjet prej 4 klubesh, ku unë ndjek aktivitetin prej shumë vitesh, biznesi është tkurrur nga 100-110 të punësuar para fillimit të pandemisë, aktualisht në vetëm 16 punonjës. Në pikun e sezonit turistik mendohej që të kishte punësime të reja, e ndoshta numri i të punësuarve të arrinte në 150 punonjës. Normalisht, edhe xhiroja e realizuar është në nivelet 10% të asaj çfarë duhej të ishte në këtë periudhë.
Do të ishte e udhës që qeveria, ashtu sikundër për çdo biznes tjetër, të hartonte protokolle strikte, ndoshta duke vendosur kufizime në numrin e klientëve të lejuar apo të tjera kufizime, por t’i lejonte edhe këto biznese të punonin, mos t’i jepte goditjen knock-out.
Shumë vende ku koranavirusi mbetet problematik kanë zgjedhur t’i lënë të hapura (Maqedonia e Veriut, Greqia, Bosnja, Britania, etj.), duke vendosur protokolle (Britania p.sh., i lejon pubet por nuk lejon ndërveprimin social brenda tyre,). Në këtë formë, shmanget diskriminimi i kësaj kategorie biznesi