Si u fut fshehurazi një nen i ri në Kodin Penal për shpëtuar Frida Krifcën nga duart e SPAK-ut

0
9

mri i një ish ministre të Bujqësisë së qeverisë shqiptare është përmendur shumë shpesh në raportime dhe debate publike për dyshime që lidhen me menaxhimin korruptiv të fondeve të BE-së që lidhen me bujqësinë.

Fokusi i dyshimit publik ka rënë brenda binomit IPARD-AZHBR me shumë akuza që në thelb flasin për devijim fondesh, përfitime klienteliste dhe abuzime me grantet që duhej të shkonin te fermerët e varfër vendas.

Deri këtu, gjithçka është pjesë e aludimeve, dosiereve dhe presioneve politike apo mediatike, ndërsa nga ana tjetër, organet e drejtësisë kanë detyrën e vёrtetё ta provojnë ose ta rrëzojnë me fakte këtë zhurmë apo “tymnajë” politiko-mediatike.

Neni “shpëtimtar”

Papritur, në ndryshimet e bёra rishtazi tё Kodit Penal të shumëpërfolur “europian” shihet të jetë futur një nen i ri. Nen që lidhet drejtpërdrejt dhe pikërisht me interesat financiare të Bashkimit Evropian.

Ky nen i përfshirë në kreun e mashtrimeve të Kodit Penal, i futur si “pa ftuar”, dhe pa u shoqëruar qartë me një logjikë të lidhur me nenet e tjera të të njëjtit “departament”, parashikon shprehimisht:

  • “Neni 143/a/8
  • Mashtrimi që prek interesat financiare të Bashkimit Evropian
  • Moszbulimi i informacionit në shkelje të një detyrimi specifik, përdorimi ose paraqitja e deklaratave ose dokumenteve të rreme, të pasakta ose të paplota, që ka si efekt përvetësimin ose mbajtjen e padrejtë të fondeve nga buxheti i përgjithshëm i Bashkimit Evropian ose buxhetet e menaxhuara nga ose në emër të Bashkimit Evropian, ose keqpërdorimi i fondeve të tilla për qëllime të tjera nga ato për të cilat ato janë dhënë dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
  • Moszbulimi i informacionit në shkelje të një detyrimi specifik, përdorimi ose paraqitja e deklaratave ose dokumenteve të rreme, të pasakta ose të paplota, që ka si efekt zvogëlimin e paligjshëm të burimeve të buxhetit të përgjithshëm të Bashkimit Evropian ose buxhetet e menaxhuara nga ose në emër të Bashkimit Evropian, ose keqpërdorimi i një përfitimi të përfituar ligjërisht dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
  • Kur veprat e parashikuara në paragrafët e parë dhe të dytë të këtij neni kryhen në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohen me burgim nga dy gjer në gjashtë vjet.
  • Kur të njëjtat vepra përfshijnë një shumë, që tejkalon 50 000 euro, dënohen me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.”.

Ndër nenet e reja qё u amenduan me “frymë europiane”, ky nuk do binte në sy po qe se nuk do ishte futur si me nxitim, pa asnjë diskutim nëpër dhjetëra “tryezat konsultative”. Nuk dihet a di gjë Ministri i Drejtësisë që e zhvendos tryezën e diskutimeve dhe konsultimeve për Kodin “europian” deri tek cepi më i largët i ekspertizës dhe interesit qytetar.

Nga “mbiu” neni 143/a/8?

Kush e propozoi?

Kush e lidhi me nenin bazë të Kodit Penal? Me nenin 3: “Veprimi në kohë i ligjit penal”.

Sepse neni 3 i Kodit Penal mbetet parimi bazë që po ta lexosh me kujdes merr shumë kuptim për binomin apo “aferën” IPARD-AZHBR:

Askush nuk mund të dënohet për një vepër që, sipas ligjit të kohës kur është kryer, nuk përbënte vepër penale. … Kur ligji i kohës kur është kryer vepra penale dhe ligji i mëvonshëm janë të ndryshëm, zbatohet ai ligj dispozitat e të cilit janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale.

Rastësi apo qëllimshmëri?

Nëpër korridoret e Kuvendit dhe ato të ekspertizës së drejtësisë nën zë qarkullon një thashethem që përmblidhet në një pyetje:

A u sajua ky nen “mburojë” për nesër?… me qëllim që të thuhet “atëherë nuk kishte vepër penale specifike për fondet e BE-së, ndaj nuk mund të ketë dënim penal – sot!”.

Ndërkohë që drejtësia shqiptare vazhdon hetimet dhe shteti shqiptar është ende në fazën justifikuese para Bashkimit Europian, fermerët e pambrojtur të Shqipërisë vijojnë të rrënohen nga papërgjegjshmëria që kërkon një alibi të re – me një ligj të ri. / Kontrast

Ardit Murataj