“Të gjithë duhet të marrin masa të përfshihen në skemën e re sigurimit nga fatkeqësitë natyrore, gjë që do ta sanksionojmë edhe në ligj. Jemi i vetmi vend në Europë që nuk e ka një ligj të tillë. Këtu nuk është fjala vetëm për shtëpitë, por është fjala edhe për sipërmarrjet, njësitë e biznesit që duhet të sigurohen”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Sigurimi i banesave në Shqipëri nga fatkeqësitë natyrore do të të jetë i detyrueshëm. Ndryshimet e fundit klimatike me përmbytje në dimër dhe zjarre në verë e bën të domosdoshme një nismë të tillë për të mos krijuar barrë për buxhetin e shtetit në raste të dëmeve.
Vetëm gjatë kësaj vere në Shqipëri u dogjën me dhjetëra banesa e magazina biznesesh për shkak të zjarrit. Ndërkohë që aktualisht Shqipëria ka gati një draft për sigurimin e banesave nga tërmetet, një nismë kjo e ndërmarrë si domosdoshmëri pas tërmetit shkatërrues ët vitit 2019.Tashmë ky projektligj është në fazën e konsultimeve dhe është hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore.