Sinjale negative për skemën e sigurimeve, punësimi pa pagë rritet më tej më 2023

0
42

Punësimi pa pagesë në biznesin e familjes, një tregues i rëndësishëm i informalitetit në tregun e punës, u rrit më tej në vitin 2023, duke sinjalizuar se në vitet në vijim vendi do të përballet me një masë të madhe pensionistësh të varfër, pasi të punësuarit aktualë nuk po kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, të punësuarit pa pagë arritën në 283,272 persona në vitin 2023, ose 3730 (1.3% më shumë se më 2022). Në krahasim me vitin 2021, numri i të punësuarit pa pagë në biznesin e familjes u rrit me 12.6%.

Sipas vlerësimeve të anketës së forcës së punës për vitin 2023, rezulton se për grup-moshën 15 vjeç e lart, 49,0% e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 29,7% janë të vetëpunësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 21,3% janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Institucionet e financiare ndërkombëtare e konsiderojnë punësimin pagë një element shqetësues të informalitetit në tregun e punës. Studimet rreth Shqipërisë kanë gjetur se gratë janë më të përfshira në punën pa pagesë në biznesin e familjes në krahasim me burrat.

Puna pa pagë zakonisht është përhapur në vetëpunësim dhe në sektorin bujqësor. Shqipëria renditet ndër vendet me normat më të larta të vetëpunësimit në Europë (29.7% e punësimit total me 2023). Zhvillimi më i dobët i sektorit industrial në Shqipëri, në krahasim me vendet e rajonit dhe Europës ka zhvilluar vetëpunësimin.

Numri më i vogël i kapaciteteve industriale në vend kushtëzon një pjesë të madhe të punëtorëve që punësimin e tyre ta realizojnë përmes formës së vetëpunësimit. Modeli ekonomik krijon kushtet për vetëpunësim e për rrjedhojë për informalitet të lartë.

Duke e analizuar tregun e punës në këndvështrimin gjinor, vihet se femrat kanë 1,4 herë më shumë gjasa sesa meshkujt për të qenë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Vlerësimet e marra nga Anketa e Forcave të Punës tregojnë se 27,2% e femrave të punësuara dhe 16,3% e meshkujve të punësuar janë punëtorë pa pagesë të familjes. Në vitin 2023, përqindja e punësimit informal në sektorin jo-bujqësor është 26,2 %, duke pësuar zbritje prej 2,0 pikë përqindje krahasuar me vitin 2022.

Nga ana tjetër vitin e kaluar 31,1% e kontribuuesve në kategorinë e të punësuarve me pagë morën pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare 40 mijë lekë./B.Hoxha

Burimi: INSTAT