Situata në Bosnje më keq se kurrë, Borrell: Të merren masa të menjëhershme, vendi drejt shpërbërjes

0
137

Shefi i diplomacisë evropiane ka reaguar me alarm për situatën në Bosnje duke thënë se vendi po shkon drejt shpërbërjes. Deklarata e fundit nga kroatët se do të krijojnë edhe ata autonominë e tyre, bashkë me tendencën separatiste të serbëve të Bosnjes, e tensionin situatën në vend deri në shpërbërje.

Kryediplomati evropian Josep Borrell ka folur me nota të larta alarmi për situatën në Bosnje.

“Situata atje nuk ka qenë e lehtë, por duke parë spiralen e tensioneve në vend mund të them se është më shqetësuese se kurrë” – tha kreyediplomati nga Konferenca e Sigurisë së Mynihut.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së u kërkoi ministrave të jashtëm të bllokut evropian të ndërmarrin veprime të shpejta për të parandaluar që një krizë që do të ishte “kritike” për Bosnje-Hercegovinë, ku sipas tij mund ta shpërbëjë vendin e brishtë të Ballkanit Perëndimor

“Retorika e nacionalistëve dhe separatistëve në Bosnje-Hercegovinë është në rritje dhe po rrezikon stabilitetin dhe madje edhe integritetin e vendit,” u tha Borrell gazetarëve.

Përkundrejt retorikës së liderit serb të Bosnjes Milorad Dodik që thotë se kërkon shkëputje, së fundmi Borrell shprehu alarmin pasi nacionalistët kroatë të Bosnjës kërcënuan të prishnin zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të formonin rajonin e tyre autonom.

Bosnje dhe Hercegovina është e ndarë në një federatë boshnjake dhe kroate dhe një entitet tjetër që mbizotërohet nga serbët, i quajtur Republika Srpska.

Veprimi i mëhershëm i Milorad Dodikut, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës për të ndarë ushtrinë, policinë dhe administratën tatimore të njësisë nga qeveria qendrore boshnjake, është parë nga politikanët europianë dhe amerikanë si një hedhje në erë e Marrëveshjes së Dejtonit dhe shpërbërje e vendit ballkanik.

Bosnja ndërkaq ka tërhequr edhe vëmendje ruse, ku kreu i Republikës Serbe ka pasur takime të drejtëpërdrejta me shefin e Kremlini Vladimir Putin.

Bosnja është një vend me indekse të larta korrupsioni dhe që qeveriset e administrohet sipas linjave etnike të përcaktuara nga marrëveshja e Dejtonit, me një qeveri qendrore të dobët dhe shpesh jofunksionale.