Karantina disamujore ka ndikuar negativisht, pothuajse të gjithë kompanitë në vend, por më të prekurat janë ato që lidhen direkt me konsumin.
Alma Bici, drejtore e marketingut dhe marrëdhënieve me publikun, “Agna Group”, distributori më i madh në vend dhe prodhues i pijeve freskuese e të tjera, pohon se sjellja e konsumatorit në blerje ka ndryshuar. Ajo pritet të vazhdojë të ndryshojë edhe në muajt e ardhshëm, pasi situata ka detyruar konsumatorët të orientohen më tepër drejt mallrave të shportës dhe produkteve bazë.
Si ka qenë ecuria e kompanive të grupit në vitin 2019?
Ecuria e “Agna Group” ka qenë e mirë gjatë vitit 2019. Ky vit ka qenë shumë i vështirë, por në sajë të diversifikimit të portofolit, kemi mundur t’ju përgjigjemi nevojave të klientëve dhe konsumatorëve.
Kemi rishikuar strategjitë tona, duke investuar më pak në aktivitetet e marketingut dhe duke u fokusuar në aktivitete dhe promocione në pikën e shitjes, për të qenë sa më pranë konsumatorëve tanë.
Si po rezulton ecuria në pjesën e deritanishme të vitit 2020? Cilat kompani janë goditur më shumë nga pandemia?
Vështirësitë e këtij viti kanë ndikuar shumë në nivelin e shitjeve, sidomos mosfunksionimi i ONTrade (bareve dhe lokaleve) në periudhën e izolimit, ose funksionimi i reduktuar e me specifika të reja në frekuentimin e tyre nga konsumatorët.
Për sa i përket OFF Trade, edhe në këtë pjesë të tregut shitjet pësuan rënie, për shkak të kufizimit të orarit të lëvizjes dhe konsumatorët i fokusuan blerjet te produktet bazë të shportës. Kompanitë e goditura më shumë janë hoteleria, reklamat outdoor, por edhe pjesa e produkteve të konsumit të shpejtë që lidhet ngushtësisht me ONTrade-in.
Si ka ndikuar pandemia në planet tuaja për zgjerim dhe investime?
Pandemia ka prekur çdo qelizë të shoqërisë dhe më specifikisht edhe të biznesit. Ne nuk bëjmë përjashtim. Por fokusi ynë kryesor në këtë periudhë është biznesi në Shqipëri. Kemi përgjegjësi t’u përgjigjemi nevojave të klientëve dhe konsumatorëve tanë në mënyrën më të mirë të mundshme, por edhe punonjësve tanë, të cilët kanë bërë maksimumin që “Agna Group” të funksionojë sa më mirë në këtë periudhë të vështirë.
Ne nuk e kemi ndërprerë marrëdhënien e punës me asnjë punonjës, as edhe një ditë, pavarësisht specifikave dhe vështirësive të pandemisë. Ne nuk harrojmë se pas çdo punonjësi është një familje. Gjithsesi ne vazhdojmë të punojmë me përkushtim edhe për projektet në Rajonin e Ballkanit.
Ju jeni distributori më i madh i retail në vend. Sa e vlerësoni se është goditur konsumi dhe për cilat segmente? Si e prisni ecurinë deri në fund të vitit (nëse keni ndonjë vlerësim për rritje ose rënie në përqindje).
Sjellja e konsumatorit në blerje ka ndryshuar dhe pritet të vazhdojë të ndryshojë edhe në muajt e ardhshëm. Situata i ka detyruar konsumatorët të orientohen më tepër drejt mallrave të shportës dhe produkteve bazë. Nuk mund të themi me saktësi sesa është reduktuar konsumi, por është e dukshme që ka një rënie të konsiderueshme.
Për sa kohë prisni që të bëhet rikthimi në normalitet dhe çfarë politikash nxitëse mund të ndërmarrë qeveria për të përshpejtuar këtë proces?
Për rikthimin në normalitet nuk mund të themi një kohë të përcaktuar, për aq kohë sa situata e pandemisë nuk ka një afat të përcaktuar. Pasiguria e situatës që ka prekur vendin dhe ekonominë, ka bërë që blerësit të jenë skeptikë në blerje dhe mund të duhet kohë që gjërat të kthehen në normalitet. Ne jemi optimistë dhe urojmë që kjo periudhë të jetë sa më e shkurtër, por në këtë pikë është e vështirë të bëhen parashikime të sakta. Ne besojmë se është shumë e rëndësishme që qeveria të ndërmarrë lehtësime fiskale për biznesin.
A do ta përballonte ekonomia një karantinë të dytë?
Një karantinë e dytë do të ishte e vështirë për ekonominë.
Cilët janë sektorët që shihni më me interes për investime dhe si ka ndryshuar këndvështrimi për investimet e pritshme dhe diversifikimin pas pandemisë?
Investimi në shitjet online është me interes, pasi pandemia ndikoi që konsumatorët të ndryshonin sjelljet e tyre dhe mënyrën e blerjes.
“Agna” po synon dhe investimet jashtë vendit. Si ka qenë ecuria dhe si e vlerësoni mjedisin për të bërë biznes, në krahasim me Shqipërinë?
Siç u theksua edhe më lart, fokusi dhe sfida jonë kryesore është tregu shqiptar, janë klientët dhe konsumatorët tanë, të cilët na kanë mbështetur në këto 30 vjet që ne bëjmë biznes. Projektet e nisura në rajon po vazhdojnë dhe çdo treg ka specifikat dhe vështirësitë e veta. Pandemia nuk ka përzgjedhur. Ju faleminderit.