Festat e fundvitit do të kalojnë pa masa shtesë përkundër konstatimit të dy rasteve të para me Omicron në vend.
Komiteti Teknik i Ekpertëve ka lënë në fuqi masat e mëparshme parandaluese.
Ora policore do të vijojë të mbetet e njëjtë, 23:00, me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve
Rakacolli: Niveli i masave në fuqi është i përshtatshëm për të kontrolluar këtë situatë. Do mbeten në fuqi të njëjtat masa që kemi sot.
Rakacolli tërhoqi vëmendjen për respektimin e masave dhe vaksinimin e popullatës.
Rakacolli: Infektohen shumë më tepër të pavaksinuarit dhe format e rënda të sëmundjes dhe humbjet e jetës janë në radhë të parë te të pavaksinuarit. Bëhet e ndjeshme në kushtet e pranisë së Omicron në Shqipëri. Siç është shprehur dhe Fauci, Omicron do ti gjejë të gjithë të pavaksinuarit.
Vaksinimi tha ajo nuk është vetëm zgjedhje personale por çështje përgjegjësie publike.
Porosi pati edhe për festat.
Rakacolli: Jemi në prag të festave të fundvitit. Vitin e kaluar festimi i tyre jo sipas rekomandimeve solli raste të shtrimeve të rënda nëpër spitale dhe një numër të shtuar të jetëve të humbura. Sivjet rreth 50% e popullsisë mbi 16 vjeç është e vaksinuar me të paktën një dozë vaksine por nuk është e mjaftueshme për të ndaluar përhapjen e infeksionit.
Të jemi të përgjegjshëm në zbatim të rekomandimeve për të gjithë ata që do të festojnë me familjet e tyre të mëdha apo ambjente të tjera të respektohen standardet e rekomanduara dhe të evitohen grumbullimet, të përdorin maskat në të gjitha ato ambjente ku janë të rekomanduara.
Rakacolli kujtoi se në datë 4 janar 2022, të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve dhe qendrave tregtare do të paraqesin doumentin e vaksinimit ose certifikatat e shërimit me vlefshmëri deri në 6 muaj pas ditës së shërimit.
Kjo cerfikatë ka filluar të gjenerohet dhe në sistemin e-Albania.