Skandal / E dënuara me 2 vite burg si falsifikatore Hajrije Thartori shefe juridike e burgut të Peqinit, manipulonte kartelat e të dënuarve për t’i liruar nga qelitë (vendimi)

0
2

Tjetër skandal përfshin burgun e Peqinit. Të skeduar dhe të dënuar për falsifikim dokumentash, mashtrim dhe shpërdorim detyre me pasoja të rënda, janë pjesë e kupolës së menaxhimit të Burgut të Peqinit. E dënuar si falsifikatore dokumentesh me vendim gjykate, Hajrije Thartori rezulton me funksion publik shefe juridike e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin.

Gjykata e Elbasanit, me vendim të datës 3 prill 2025, me kërkesë të Prokurorisë Elbasan, ka shpallur fajltore zonjën Hajrije Thartori për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, parashikuar në nenin 186/3 të Kodit Penal. Sipas vendimit të gjyqtarit Artur Prega, në bazë të procedimit nr. 328 të vitit 2020, Hajrije Thartori është dënuar me dy vite burg për falsfikimin dokumentesh, konkretisht falsifikimin e kartelave të të dënuarave.

Sipas dosjes penale, shefja juridike e Burgut të Peqinit, Hajrije Thartori ka marrë pjesë në manipulimin e kartelës për zbritjen e dënimit në mënyrë fiktive dhe të paligjshme të të dënuarit me burgim të përjetshëm Elidon Kotorri, duke mundësuar lirimin e tij nga burgu para afatit, pasi Kotorri përmes dërgimit të çështjes në Gjykatën e Strasburgut ku avokatët përdorën kartën e të drejtave të njeriut, gjykatat shqiptare ia zbritën dënimin me 25 vjet burgim.

(Krimi i trefishtë për të cilin u akuzua Elidon Kotorri ndodhi më 11 janar 2000 në afërsi të shkollës ‘Vasil Shanto’ dhe kishte në shënjestër, viktimën Andi Hasani. Përveç tij në këtë atentat u vranë edhe dy të tjerë, Gazmend Zeneli dhe Sokol Alushi, si dhe mbeti i plagosur Grigor Stefani).

Janë sajuar dokumente në IEVP Peqin sikur Kotorri ka punuar në Burgun e Fushë-Krujës gjatë viteve 2012-2016, duke i ulur mbi 1 vit nga dënimi, por nga verifikimet që ka kryer prokuroria ka rezultuar se Kotorri nuk ka qenë i përfshirë në listat e organikës së të punësuarve në IEPV Fushë Krujë.

Skandali konsiston në faktin se Hajrije Thartori, në vend që së paku të ishte pezulluar nga detyra, vijon të ushtrojë funksionin kyç të shefes juridike të IEEVP Peqin, me sa duket për të vijuar aktivitetin e paligjshëm të manipulimit të dosjeve të të burgosurve, për t’i liruar nga burgu, në këmbim të shumave nga dhjetëra deri në qindra mijëra euro./ Marrë nga Prapaskena.com

Linku origjinal

https://prapaskena.com/2025/11/12/skandal-e-denuara-me-2-vite-burg-si-falsifikatore-hajrje-thartori-shefe-juridike-e-burgut-te-peqinit-manipulonte-kartelat-e-te-denuarve-per-ti-liruar-nga-qelite-vendimi/