Skandal në Kishën Katolike në Francë, mbi 3 mijë priftërinj të akuzuar për abuzime seksuale me të mitur

0
167

reth 3 mijë klerikë katolikë francezë besohet se janë përfshirë në akte pedofilie me të miturit prej 70 vitesh.

Raporti pritet të publikohet të martën dhe Zhan-Mark Sove, kreu i komisionit të pavarur që heton skandalet seksuale në Kishat franceze, thotë se ka dëshmi për 2,900 deri 3,200 pedofilë priftërinj ose të rangjeve të ndryshme.

Hetimet për abuzimet nga klerikët vijojnë prej vitit 2018 dhe do të përmblidhen në një dokument me gati 2,500 faqe, ku do të jepen hollësi mbi numrin e abuzuesve, të viktimave dhe mekanizmat institucionalë e kulturorë përbrenda Kishës që i lejuan abuzuesit të qëndrojnë ende në detyrë.

“Raporti ka për të qenë eksploziv. Do të ketë efektin e një bombe,” deklarojnë paraprakisht një nga viktimat e abuzimit dhe një tjetër anëtar i komisionit.

Olivje Savinjak u abuzua nga një prift në vitin 1993 ndërsa tani drejton shoqatën “Fjalë e lirë” për viktimat si ai.

Komisioni për abuzimet seksuale në kishat franceze përbëhet nga 22 profesionistë ligjorë, doktorë, historianë, sociologë dhe teologë të cilët hetojnë pretendimet për abuzime e fëmijëve nga klerikët prej viteve 1950.

Mijëra dëshmi u mblodhën nëpërmjet linjës telefonike të hapur posaçërisht për ta që në muajt e parë./OraNews/