- Ilir Proda drejton Policinë e Shtetit pa besim shtetëror, me telefon të sekuestruar nga SPAK dhe me lidhje të dokumentuara me krimin, ndërsa Edi Rama shpërfill ligjin dhe partnerët ndërkombëtarë…
Ditën e mërkurë, “Pamfleti” publikoi skandalin e rëndë se Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, nuk ka Certifikatë Sigurie CSP; kusht ligjor të cilin kryeministri Edi Rama e ka shpërfillur, duke e emëruar në këtë post të rëndësishëm, fakt që dëshmon se edhe gjatë 7 viteve si zv/ministër i Brendshëm nuk ka pasur certifikatë sigurie.
Por dokumenti zyrtar që po publikojmë sot vërteton se edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nuk ka pasur dhe nuk ka Certifikatë Sigurie, për shkak të mungesës së integritetit dhe mungesës së besimit për të kryer detyra të larta në polici.
Edhe në procedurën për emërimin e Ilir Prodës, kryeministri Edi Rama shpërfilli dhe shkeli ligjin për integritetin e personave që emërohen në funksione të larta të luftës kundër krimit dhe sigurisë kombëtare, ku kushti i parë është besimi shtetëror ndaj tyre.
Mungesa e Certifikatës së Sigurisë për Ilir Prodën u konstatua gjatë hetimit dhe rivlerësimit të integritetit dhe figurës, fakt që përbën skandal të rëndë në emërimin e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, post në të cilin qarkullojnë informacionet e brendshme dhe ato të agjencive partnere të SHBA-BE për sigurinë dhe grupet kriminale.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), me shkresën e datës 25 maj 2023, informoi Komisionin e Vettingut dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore se kryepolici Ilir Proda nuk ka Certifikatë Sigurie CSP, por mungesa e certifikatës u kalua në heshtje.
- Sipas dosjes personale në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), Ilir Prodës iu hoq Certifikata e Sigurisë CSP në muajin prill 2022, kur ishte zv/drejtor i Policisë së Qarkut Elbasan, pas raportimit të SHISH-it për krijim lidhjesh me eksponentë të krimit në Elbasan, Tiranë dhe Durrës.
Në fund të muajit shtator 2024, një javë para emërimit në krye të Policisë së Shtetit, ish-ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, si propozues i Ilir Prodës, kryeministri Edi Rama si autoriteti që emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe vetë Ilir Proda si aplikues për këtë post, kërkuan informacion dhe paraqitën kërkesë për pajisjen me Certifikatë Sigurie CSP.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) i vuri në dijeni se Ilir Agim Proda nuk ka Certifikatë Sigurie dhe është në proces verifikimi të figurës dhe integritetit, duke mos e pajisur me certifikatë.
Për këtë vendim, DSIK u bazua në informacionet që dispononte vetë, por edhe në faktin se më 17 shtator 2024, dy javë para emërimit në krye të Policisë, SPAK i sekuestroi telefonin Ilir Prodës, në kuadër të hetimit ndaj tij për lidhje me bandat kriminale të Elbasanit, gjatë viteve tetor 2021 – shtator 2024, kur ishte zv/drejtor dhe drejtor policie në këtë qark.
Ky rast përbën skandal të rëndë shtetëror, sepse Certifikata e Sigurisë CSP është dëshmia e besimit që shteti dhe agjencitë partnere të SHBA-BE dhe NATO kanë te drejtuesi i policisë së një vendi, të cilit i besohen informacionet e klasifikuara.
Nivelet e Certifikatës së Sigurisë CSP përfshijnë informacionet e klasifikuara “Konfidencial”, “Sekret” dhe “Tepër Sekret”, të cilat prej 16 muajsh kanë kaluar në duart e kryepolicit Ilir Proda, megjithëse ai nuk e ka këtë certifikatë.
Nuk besojmë se pas publikimit të këtij skandali, drejtuesit e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) do t’i japin Ilir Prodës një “karton” Certifikatë Sigurie në ujdi me shefin e tyre Edi Rama, për aq kohë sa ai ka telefonin të sekuestruar dhe është nën hetim nga SPAK për lidhje me bandat e krimit./Pamfleti


