Policia e Beratit ka arrestuar pronarin e kompanisë “Era-Fruit” Mariglen Qorri për shkak se ka eksportuar drejt Kroacisë 8 ton domate që u asgjësua pasi kishte nivel të preparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara.
Së bashku me Qorrin në pranga kanë rënë dhe dy inspektorë të AKU-së në Berat, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani të cilët gjatë kontrollit që kanë kryer në këtë subjekt, kanë plotësuar praktikën në mënyrë fiktive.
Analizat kanë treguar se domatet që u bllokuan më 27 gusht kishin nivel të preparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë.
Nga kontrolli i ushtruar në magazinën e Mariglen Qorrit u sekustruan perime të ndryshme dhe u morën mostra për analiza, pasi dyshohet se mund të jenë me përbërje të lartë preparatesh.