Ndërkohë që Shqipëria dhe Italia kanë arritur një marrëveshje për hapjen e një qendre prirjeje për emigrantët nga Afrika të mbërritur në brigjet italiane, në vendin fqinj ka shpërthyer një skandal për trajtimin e tyre në qendrat përkatëse.
Mediat kryesore italiane përfshirë “Ansan”, i kanë bërë jehonë konferencës për shtyp të prokurorit të Potenzës Francesco Curcio, i cili po heton mbi keqtrajtimet e emigrantëve në qendrën pritëse “Palazzo San Gervasio”.
Denoncimi ishte bërë publik më parë nga emisioni i famshëm investigativ “Striscia la notizia”.
“Besueshmëria e shtetit italian është në rrezik mbi menaxhimin e qendrave të paraburgimit (CPR) për migrantët në pritje të dëbimit”, tha të martën prokurori publik, Curcio.
Rreth 30 persona, duke përfshirë menaxherë të lartë, staf mjekësorë dhe oficerë policie në qendrën e para-largimit Palazzo San Gervasio në Potenza, janë vënë nën hetim pas zbulimit që i lidhin ata me keqtrajtimin e dyshuar të një emigranti.
Duke informuar gazetarët, Curcio tha në qendrën e pritjes së “San Gervasio” se njerëzit që shkaktonin probleme trajtoheshin si majmunë.
Në veçanti, ai tha se hetuesit kanë zbuluar “administrimin në shkallë të gjerë të një medikamenti i quajtur “Rivotril”, që njihet zakonisht si “droga e të varfërve” dhe u jepej atyre pa pasur nevojë.
Rivotril është një ilaç i përdorur për të parandaluar dhe trajtuar një numër të çrregullimeve psikiatrike, përfshirë ankthin, çrregullimin e panikut dhe maninë.
Hetimet kanë nxjerrë në dritë gjithsej 35 raste të keqtrajtimit të personave të ndaluar në qendrën e pritjes së emigrantëve të Potenzës, duke çuar në arrestimin e një inspektori policie dhe tre masa të tjera sigurie.
Në një pjesë tjetër të hetimit, hetuesit kanë zbuluar gjithashtu “një monopol të vërtetë mbi ndihmën ligjore” në qendrën e pritjes, me tarifa “në një rast deri në 700,000 euro” të paguara nga shteti për një firmë të vetme ligjore.
Qeveria e Kryeministrit Giorgia Meloni po planifikon të dyfishojë numrin e qendrave të tilla në Itali nga dhjetë ekzistuese si pjesë e përpjekjeve të saj për të luftuar migrimin e parregullt.
Sipas marrëveshjes të publikuar nga Qeveria shqiptare, Italia do të depozitojë 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e deri në 3.000 emigrantëve.
Qendrat e emigrantëve janë parashikuar të ngrihen si zona ekstraterritoriale në zonën e Shëngjinit.
Aktualisht, marrëveshja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ka bllokuar atë deri në një vendim përfundimtar.