Skandali seksual që tronditi Malin e Zi: Dorëheqje, akuza dhe hetime pas publikimit të videove intime

0
2

Prej gati një muaji, Mali i Zi është përfshirë në një skandal që ka shkaktuar tronditje në opinionin publik dhe në skenën politike të vendit pas publikimit në rrjetet sociale të disa videove dhe fotografive me përmbajtje intime që lidhen me dy ish-zyrtarë të lartë shtetërorë.

Në qendër të kësaj ngjarjeje janë Mirjana Pajković, e cila deri kohët e fundit mbante postin e Sekretares së Shtetit në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve në Mal të Zi, dhe Dejan Vukšić, ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (ANS) dhe ish-këshilltar për sigurinë i presidentit Jakov Milatović.

Pas publikimit të materialeve, të dy zyrtarët dhanë dorëheqjen nga detyrat që ushtronin, duke përmendur “arsye personale”, por pa dhënë shpjegime të plota për përmbajtjen e videove.

Videoja dhe fotografitë, që menjëherë u shpërndanë në platforma të ndryshme online, tregojnë momente intime që dyshohet se përfshijnë Pajković dhe Vukšić, edhe pse identiteti i palëve dhe rrethanat e vërteta vazhdojnë të jenë subjekt hetimi.

Mirjana Pajković ka bërë kallëzim penal ndaj distribuimit të paautorizuar të materialeve, duke publikuar edhe mesazhe dhe audiopërgjime të shkëmbyera në aplikacionin WhatsApp, në të cilat pretendon se Vukšić e kërcënonte se videot do të shpërndaheshin në publik.

Nga ana e tij, Vukšić ka mohuar çdo përfshirje me publikimin ose shpërndarjen e materialeve intime. Ai ka deklaruar se është i gatshëm të nënshtrohet testimeve të ndryshme, përfshirë edhe poligraf, dhe ka thënë se do të ndjekë penalisht çdo person që e ka akuzuar padrejtësisht në media ose rrjetet sociale.

Autoritetet në Podgoricë kanë nisur hetime dhe janë ngritur procedime penale lidhur me rastin, por pa dhënë ende rezultate përfundimtare apo konfirmime ligjore të lidhjes mes personave dhe materialeve të publikuara.

Rasti ka ndezur një debat të gjerë publik për mbrojtjen e privatësisë, etikën e zyrtarëve publikë dhe mënyrën se si autoritetet duhet të trajtojnë shpërndarjen e përmbajtjeve intime pa pëlqim, duke ngritur edhe diskutime mbi abuzimin me imazhet dhe ndikimin në karrierën publike të individëve.

Mirjana Pajković ishte aktive edhe në rrjetet sociale, ku shpeshherë ndante detaje nga jeta private dhe profesionale, duke tërhequr vëmendje për komentet e saj mbi vlerësimin e grave në skenën publike.