Ministria e Bujqësisë është duke riformuar skemën kombëtare në bujqësi, të cilën e ka nisur me një proces konsultimi me fermerët. Për ekspertët, bujqësia është sektor strategjik që kontribuon më shumë se 20% në ekonomi dhe duhet të ketë prioritet në rishpërndarjen e fondeve publike. Alban Zusi sipërmarrës dhe Kryetar i Shoqatës së Eksportuesve, deklaron për mediat se mekanizmat ekzistues si IPARD dhe garancia sovrane kanë ndikim të kufizuar tek shumica e fermerëve të vegjël. Për të garantuar sigurinë ushqimore, sipas tij duhet unifikimi i të gjitha funksioneve nën një institucion të vetëm.
“Duhet të kemi një proces sa më të plotë të dëgjesave me qëllim që të merret më e mira dhe për çdo propozim që i vjen duhet të ketë një përgjigje. Në qoftë se dëgjesat janë për të treguar se çfarë ka ndërmend të bëjë ministria ose më saktë se çfarë kanë propozuar disa teknicienë që në shumicën e rasteve janë të palidhur me terrenin dhe kjo quhet dëgjesë, kjo nuk është dëgjesë, por thjesht një komunikim dhe nuk do kryente funksionin që duam. Funksioni do kryhet kur do të thuhet çfarë ka menduar ministria, do të argumentohen, do të merren kërkesat e fermerëve, të industrialistëve për këdo që bëhet kjo paketë dhe secila prej tyre analizohet dhe i kthehet një përgjigje”, deklaroi për Tv Scan sipërmarrësi dhe Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi.
Sipas Zusit, pasi të sigurohen sektorët bazë si shëndetësia dhe arsimi, fondet publike të mbetura duhet t’i alokohen me prioritet sektorëve që gjenerojnë të ardhura buxhetore, kryesisht bujqësisë dhe industrisë ushqimore, duke e njohur kontributin e tyre thelbësor në ekonominë kombëtare.
“Ne duhet të shikojmë të paktën të paktën në qoftë se bujqësia impakton ekonominë kombëtare 50-20%, që për mua bujqësia, ushqimi, industria ushqimore e të tjerë janë shumë më tepër se sa 20%. Atëherë edhe fondet e orientuara mbasi heqim fondet bazë publike siç janë fondet për shëndetësi, arsim, rendin publik, për qeverisjen dhe pjesa që ngelet duhet rishpërndarë sipas sektorëve që e rikrijojnë, që e krijojnë këtë të ardhur buxhetore”, deklaroi eksperti Zusi.
Instrumentet si garancia sovrane janë të dobishme kryesisht për bizneset dhe fermat e mëdha, por ato nuk janë një mjet për të transformuar realitetin e bujqësisë dhe nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shumicën e fermerëve.
“Fermerët drejtpërdrejt vështirë se kanë për të përfituar nga ky mekanizëm. E kam thënë edhe herë të tjera që garancia sovrane nuk është një mekanizëm nxitës për fermerët. Është më së shumti për bizneset. Bizneset edhe mund të përfitojnë ose fermat e mëdha mbase mund të përfitojnë nga kjo punë, por mirë është, nuk është e gabuar. Absolutisht nuk është një instrument që duhet kritikuar, por nuk është ky instrumenti çudibërës që mund të ndryshojë realitetet në sektorin e bujqësisë dhe të ushqimit”, shtoi Zusi.
Sipërmarrësi Zusi shprehet se për të garantuar sigurinë ushqimore është thelbësore të krijohet një institucion i vetëm dhe i unifikuar, i cili do të menaxhojë të gjithë ciklin, nga analiza shkencore dhe e tregut deri te veprimet kontrolluese.
“Unifikimi është e vetmja mënyrë. Në të gjithë Evropën sot nuk ka dy apo tre ente që merren në siguri ushqimore.”, theksoi Zusi.
Bujqësia, sipas ekspertëve duhet të shkëputet nga modeli i eksportit të lëndës së parë dhe të përqendrohet në krijimin e produkteve me vlerë të shtuar të lartë, duke përfshirë produkte bioteknologjike, farmaceutike dhe lëndë të para për industri strategjike evropiane.
“Po flitet edhe për “Agriculture Smart”, për bujqësinë e zgjuar dhe ne duhet të përpiqemi të rrisim vlerën e shtuar. Në qoftë se një produkt sot ne poe eksportojmë me 500-600 euro tonin, duhet të përpiqemi ta çojmë 5000-6.000 euro tonin. Pra duhet t’i rrisim 10 fish vlerën para se ta nxjerrim. E dyta, nuk duhet të nxjerrim vetëm produktet e fushave dhe produktet e serave, por edhe produkte të përpunuara. Pra, duhet të nxjerrim produkte bio-teknologjike, produkte farmaceutike, lëndë të para për industritë e rëndësishme evropiane, jo thjesht industri ushqimore, por edhe industri të tjera me karakter strategjik që ka Evropa”, deklaroi Zusi .
Gjithashtu sipas ekspertëve, një vizion modern për bujqësinë shtrin kufijtë e saj përtej fushave dhe serave, duke e përfshirë atë si një sistem kompleks shkencor dhe industrial që synon vetëqëndrueshmërinë dhe krijimin e vlerës në të gjithë zinxhirin.
“Këtu fillon e krijohet vlera e shtuar dhe ne të gjitha këto i kemi, por fatkeqësisht sot këto i zhvlerësojmë si opsione, si mundësi dhe e kemi përqendruar gjithë fokusin tonë, gjithë vizitat e drejtuesve të lartë janë nëpër fusha, nëpër sera, nëpër qendra e grumbullimit. Sikur kjo është e gjitha bujqësia. Në fakt bujqësia është bio-teknologji, është shkencë, është prodhimi i inputeve në vend, është prodhimi i lëndëve të para të ndryshme në vend, është ulja e importeve të këtyre lloj produkteve, është shumë më tepër sesa kaq”, shtoi Zusi.
Ndryshimi drejt një bujqësie moderne dhe të qëndrueshme nuk mund të bëhet me instrumente të vjetra dhe fokus të ngushtë. Sipas ekspertëve e ardhmja e sektorit varet nga aftësia për ta shndërruar atë nga një aktivitet prodhues në një motor inovacioni dhe krijimi të pasurisë.


