Skema Kombëtare, ulet vija e financimit për katër masa

0
132

Është shtuar edhe me 21 fermerë numri i aplikantëve përfitues në katër masat e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësisë dhe Blegtori 2021.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njofton se ka ulur për të katërtën herë  sot vijën e financimit për aplikimet në 4 masa mbështetëse të fermerëve sipas listave të shpallura, në përputhje me procedurat e përcaktuara në Udhëzimin “Për kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural” i MBZHR dhe MFE.

AZHBR bën të ditur se, agropikat janë në gatishmëri për dhënie informacioni të aplikantëve të cilët janë brenda vijës së financimit.

Sipas AZHBR-së, numrin rendor i aplikantëve që janë përfshirë mbi vijën e financimit, për:

Masa 1: Tufa bazë e matrikulluar – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 1886 nga 1880 që ishte më parë.

Masa 2: Parqet me koshere bletësh – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 677 nga 676 që ishte në listën e parafundit.

Masa 3: Zëvendësim plasmasi në sesa ekzistuese – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 463 nga 453 që ishin më parë.

Masa 4: Mbjellje Bimë Aromatike dhe medicinale – Do të përfshihen në fond
aplikimet deri në numrin rendor 104, nga 100 që ishte në listën e parafundit.

Afati i dorëzimit të dokumenteve shtesë për aplikantët që ndodhen mbi vijën e financimit është deri më datë 16.08.2021. Dorëzimi përtej këtij afati do të rezultojë me skualifikim të aplikimit.

Nga ulja e vijë së financimit, herën e parë muajin e kaluar, numri i përfituesve u shtua me 185 fermerë në 5 masa mbështetëse.

Ndërkohë AZHBR po vijon kryerjen e pagesave, subvencion për fermerët e kualifikuar përfitues nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë 2021.

Sipas AZHBR-së, deri tani pagesat janë dhënë për 70 % të fermerëve përfitues ose 2 614 fermerë në të gjithë vendin. Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021, ka të destinuar një fond prej 804 milionë lekë, subvencione për fermerët.

Sipas të dhënave zyrtare janë 3000 fermerë të kualifikuar deri tani përfitues për njërën nga 9 masat që mbështet Skema Kombëtare e këtij viti.

ATSH