Skemë mashtrimi/ Merrnin kredi me dokumente të falsifikuara, arrestohet 25 vjeçarja dhe bashkëpunëtori i saj

0
194

Janë arrestuar dy persona gjatë ditës së sotme në Tiranë, pas operacionit të policisë të koduar “Fraud 21”.

Në pranga kanë rënë, Shahije Rroshi, 25 vjeçe dhe Leonard Allushi, 27 vjeç, të dy banues në Tiranë. Mësohet se është zbuluar skema e mashtrimit që përdorej nga dy personat të cilët merrnin mikrokredi nga institucione të ndryshme financiare me anë të falsifikimit të dokumentave.

Skema e mashtrimit ishte e tillë, që të arrestuarit, rekrutonin qytetarë të tjerë dhe në këmbim të pagesave të ndryshme i drejtonin ata drejt bankave për të marrë kredi me dokumente të falsifikuara.

Njoftimi i Plotë

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fraud 21”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Merrnin kredi në subjekte financiare që japin mikrokredi, me dokumente të falsifikuara, vihen në pranga 2 shtetas.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fraud 21”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasve:

Shahije Rroshi, 25 vjeçe dhe Leonard Allushi, 27 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas kishin krijuar një skemë mashtrimi, me anë të së cilës rekrutonin persona të ndryshëm, kundrejt shpërblimit, duke i pajisur me dokumente të dyshuara të falsifikuara, për të bërë të mundur përfitimin e mikrokredive nga këto institucione financiare.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe vënien para drejtësisë edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Mashtrim me kredi”