“S’kemi frikë nga korona” organizuan festa me muzikë e balerina, gjobiten lokalet e natës në Durrës

0
274

Procedohen penalisht dhe me gjobë 2 administratorë lokalesh nate në Durrës.

Ata organizuan aktivitete masive me muzikë live dhe balerina në lokale nate, në kundërshtim me Aktin Normativ dhe urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës vijojnë kontrollet për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, pika 2, datë 15.03.2020, i cili është akoma në fuqi, për subjektet apo individët që organizojnë aktivitete publike dhe jopublike, si koncerte etj, në vende të mbyllura, si dhe të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, datë 29.05.2020, “Për marjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”.” – njofton policia.

Policia ka shoqëruar dy administratorët e subjekteve dhe 7 balerina.

Ndërkohë janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit:

B. K., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua se në subjektin “Muzikë live”, në administrim të tij, në lagjen nr.13, Durrës, kishte organizim me muzikë në ambient të mbyllur.

D. P., 60 vjeçe, banuese në Durrës, pasi shërbimet e Policisë kanë konstatuar se në subjektin “Muzikë live” në pronësi të saj, në Shkallnur, kishte organizim me muzikë në ambient të mbyllur.

Nga ana e ISHP-së janë marrë masa administrative ndaj subjekteve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Durrësit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet portokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ora News