Skenar i përsëritur/ Policia gjen mjetin e djegur dhe armën që u përdor në ekzekutimin e Nikolin Lekstakajt

0
166

Detaje të reja janë zbuluar për ekzekutimin e Nikolin Lekstakajt në Balldre të Lezhës, ditën e djeshme.

Burime për FaxNews bëjnë me dije se, është gjetur makina e djegur dhe arma e përdorur (kallashnikov) në atentatin me breshëri plumbash.

Dyshohet, se makina është gjetur në një arë të fshatit Gjadër dhe se mund të ketë qenë e vjedhur.

Një nga pistat të cilës po i jepet më tepër zë, mbi këtë vrasje, është ajo e gjakmarrjes.

Kjo për shkak të hasmërisë që fisi i viktimës kishte me fisin e Nikulajve, ku një prej tyre, Ardian Nikulaj, ka mbetur i vrarë në lokalin e tij, në të njëjtën datë, vetëm 3 muaj më parë.

Metoda e djegies së makinës, është tashmë tepër e njohur për ngjarje të tilla, duke qenë se në 3 raste të fundit, ku janë bërë ekzekutime, është përdorur e njëjta skemë.

Njoftimi i Policisë: Lezhë/Informacion shtesë në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.07.2023, në Balldre të Lezhës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi N.M.(L).

Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet policore në të gjithë territorin e rrethit të Lezhës me qëllim gjetjen dhe kapjen e autorëve, në fshatin Gjadër të njësisë administrative Dajç,në një parcelë arë, nga shërbimet e policisë, është gjetur i djegur plotësisht një automjet tip Benz, i cili në shtator të vitit 2022, është denoncuar i vjedhur në Dimal të rrethit Berat.

Nga kqyrja e automjetit, në brendësi të tij, janë gjetur një armë zjarri automatik dhe disa gëzhoja, të gjitha të djegura plotësisht. Arma e zjarrit e gjetur dyshohet të jetë arma që është përdorur për vrasjen e shtetasit N.M.(L). U bë sekuestrimi i tyre në cilësinë e provës materiale për tu dërguar për ekspertime.

Nën drejtimin e prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore procedurale të thelluara, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.