Solskjaer: Shpallja e Liverpoolit kampion na lëndon

0
282

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e pranon se të gjithë personat e lidhur me Djajtë e Kuq janë lënduar nga triumfi i Liverpoolit në Premierligë, por thotë se klubi do të bëjë gjithçka për t’i kaluar rivalët në të ardhmen.

Skuadra e Jurgen Kloppit u shpall kampione e Premierligës të enjten në mbrëmje, pasi Chelsea e mposhti Manchester Cityn me rezultat 2:1 në Stamford Bridge, duke i dhënë kështu fund ecurisë prej 30 vjetësh pa titull të kampionit të Anglisë, transmeton Gazeta Express.

Trajneri i Manchester Unitedit, Solskjaer, tha se Liverpooli e meritoi të shpallet kampion i ligës, mirëpo e pranoi se të gjithëve që janë të lidhur me Djajtë e Kuq i ka lënduar ky triumf i rivalëve.

“Cilado skuadër që e fiton Premierligën, e meriton. Natyrisht se ata e merituan, kjo është një ligë e vështirë për ta fituar. I përgëzoj Jurgenin dhe lojtarët e tij. Por, kurdo që e sheh dikë ta fitojë ligën, të lëndon”, ka thënë Solskjaer

“Kjo është ndjenja që e ka të gjithë personat e lidhur me Manchester Unitedin – të gjithë stafi, lojtarët dhe tifozët. Natyrisht, ne duam t’u kthehemi fitoreve dhe kjo është pjesë e sfidës sonë”. /Gazeta Express/