Sot, Bota do të njohë kampionin për 4 vitet e ardhshme. • Franca, kampionia në fuqi do të duhet që të përballen me Argjentinën e Lionel Messit. • Në prag të finales Franca do vijojë të vuajë për shkak të virusit që ka mbërthyer kombëtaren, ndërsa Kingsley Coman vijon të jetë i izoluar, megjithatë lajmi i mirë është se Varane dhe Konate janë stërvitur me ekipin, pasi lanë pas sëmundjen. • Në kampin kundërshtar nuk ka asnjë mungesë dhe duket se edhe pika e tyre e fortë, Lionel Messi është në “top formë”. • Koeficentët për fitimin e kupës më të lavdishme janë të barabartë, ndërsa kombëtarja që ia del do shpërblehet me 40 milionë euro. • Finalja që nis sot në orën 16:00 do luhet në stadiumin Lusail të Dohas, me kapacitet 88 mijë vende. • Të dy kombëtaret e kanë fituar nga dy herë Botërorin dhe kjo do jetë e treta. • Po ashtu, do të vendoset sot se kush do e marrë këpucën e artë të turneut, pasi Messi dhe Mbappe kanë gola të barabartë, nga 5 secili.
Kërkohen më shumë bileta për finalen. Çmimet po rriten pafundësisht, shifrat për tribunën janë të pabesueshme!
KATAR – Në ditën e festës më të madhe kombëtare të Katarit zhvillohet finalja e Kupës së Botës në futboll, në të cilën takohen Argjentina dhe Franca. Dita Kombëtare e Katarit tërhoqi një numër të madh njerëzish në pjesët qendrore të Dohas që nga agimi i hershëm. Por jo të gjithë janë këtu për pushime. Shumë u mblodhën për të marrë biletat për finalen në minutën e fundit. Edhe pse stadiumi Lusail, ku “Selesion” dhe “Gjelat” do të përcaktojnë fituesin e titullit, ka një kapacitet prej 88 mijë vendësh, ka shumë interes.
Në Souk Waqif dhe Mshreib, qendra e Dohas, ka shumë letra me mesazhin për të kërkuar një biletë me çmim edhe më të lartë. E siç mësojmë jozyrtarisht, biletat shkojnë deri në 1500 euro, çmim gati i pabesueshëm për ulëse në tribuna.
Një numër i madh i tifozëve të Argjentinës kanë qenë të pranishëm në Doha që më parë dhe do të jenë shumica në stadium, por në dy ditët e fundit kanë ardhur edhe një numër i caktuar francezësh, kështu që Mbappe dhe shoqëria do të kenë më shumë mbështetje se në të kaluarën.
B.T (Dosja.al)