Gjykata e Posaçme ka miratuar sot, 31 mars kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-deputetit Alqi Bllako. Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila ka verifikuar masat edhe për 5 nga 9 të akuzuarit për incineratorin e Fierit. I zgjedhuri i PS u prangos në banesën e tij në Tiranë ndërkohë që do t’i nënshtrohet hetimeve për abuzime dhe marrje ryshfeti nga kompania e incineratorit të Elbasanit.
Prokuroria e Posaçme nuk ka humbur kohë për prangosjen e ish-deputetit socialist Alqi Bllako.
Menjëherë sapo Kuvendi ka dërguar zyrtarisht shkresën, ku vërtetonte që Alqi Bllako nuk është më deputet, SPAK i është drejtuar me kërkesë gjykatës për miratim e “arrestit me burg”.
Masa është ekzekutuar menjëherë, ndërsa banesa e ish-deputetit i është nënshtruar për disa orë edhe një kontrolli nga forcat operacionale të policisë.
Bllako pritet te paraqitet ne gjykatë për tu verifikuar masa e sigurisë. Po këtë të enjte gjykata ka bërë vlerësimin e masave të sigurisë edhe për 5 nga 9 personat e akuzuar për incineratorin e Fierit. Masat u verifikuan për Lefter Kokën, Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri , Florian Muca dhe Sabina Cenameri.
Klodian Zoto është ende në arrati, ndërsa pritet të jepet masa edhe për 3 të tjerët Erjon Murataj, Arenc Myrtezani dhe Etleva Kondi.
Në gjykatë u paraqit së bashku me të arrestuarit e tjerë edhe ish-ministri Lefter Koka. Avokatët e tij cilësuan të padrejtë faktin që Koka të merrte masë tjetër për të njëjtën akuzë, ndërsa nga ana e prokurorisë u argumentua se bëhej fjalë për dy episode të ndryshme.
Masa me të lehta u kërkuan edhe për të akuzuarit e tjerë të cilat nuk u pranuan nga gjykata. Në fuqi u lanë masat edhe për 5 personat akuzuar për inceneratorin e Elbasanit të cilat u morën nga gjyqtari Erjon Bani.
Dy prej të pandehurve ashtu si dhe zoti Koka kane masë për të dy incineratorët. Deri tani ka shkuar në 11 numri i personave që janë arrestuar për të dy incineratorët, ndërsa vijojnë të jenë të shpallur në kërkim Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.
Hetimet vijojnë për incineratorin e Tiranës ku SPAK ende nuk ka vepruar për zbardhjen e shkeljeve dhe përgjegjësve për dëmin e shkaktuar shtetit.