Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka çuar dosjen në gjykatë ndaj Astrit Vladit dhe ish-oficeres së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Erjona Daupaj, të cilët akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe korrupsion pasiv dhe aktiv i gjyqtarit.
Vladi dhe Daupaj prej më shumë së 1 viti ndodhen në kërkim.
Në këtë dosje u përfshi dhe ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, për të cilin u mor një dënim nga Shkalla e Parë me 2 vite e 8 muaj burg.
Si pjesë e grupit, gjykata dënoi edhe avokatin Radovan Çela me 2 vite e 8 muaj burg.
Sipas SPAK-ut, të dyshuarit kanë ndërhyrë, kanë marrë dhe dhënë ryshfet funksionarëve të drejtësisë në 8 çështje penale, 4 nga të cilat të lidhura për dosjen “Toyota Yaris”, që kur dosja ishte te Prokuroria e Krimeve te Rënda, e më pas kur ajo shkoi në Gjykatën e Tiranës në hetimet paraprake e deri te hetimet pasurore ndaj personave të akuzuar.
Nga hetimi i ndjekur nga kryeprokurori i SPAK-ut, Klodian Braho, u zbardhën komunikime në “SKY ECC” dhe “Enchro chat”, ku mësohet se vetëm prokurori Aurel Zarka ka pasur 4 kode, ku komunikonte me Dautajn, edhe kjo me llogari të saj në platforma komunikimi.
Mes çështjeve të tjera ku ka ndikuar prokurori është edhe ajo për hetimin pasuror ndaj Suel Çelës, i nisur nga operacioni “Forca e Ligjit”.


