SPAK e arrestoi, gjykata vendos për fatin e ish-drejtorit të RTSH-së

0
154

Gjykata e Posaçme ka vendosur që të pranojë kërkesën e SPAK-ut duke lënë në burg ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçi, i cili u arrestua tre ditë më parë për një tender korruptiv. Bashkë me ish-drejtorin në burg janë lënë edhe tre vartësit e tij të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Por për çfarë tenderi bëhet fjalë?

SPAK akuzon se Gëllçi ka shpërdoruar detyren me tenderin më vlerë rreth 87 milion lekë për blerjen e pajisjeve për kanalin televiziv “Rtsh Agro”. Në dosjen hetimore të siguruar nga gazetari Ermal Vija për abcnews.al, rezulton edhe një raport i KLSH-së ku renditen shkeljet e Gëllçit dhe tre anëtarëve të KVO-së, të cilët po ashtu janë arrestuar.

Sipas KLSH-së, Gëllçi ka autorizuar realizimin e tenderit për blerjen e pajisjeve të “Rtsh Agro” kur ky kanal nuk kishte marrë ende miratimin nga AMA. Madje, sipas KLSH-së, tenderi u zhvillua një vit para se AMA të jepte miratimin për ‘Rtsh Agro” dhe dy vjet para se të fillonte aktivitetin ky kanal duke nxjerrë në pah qartësisht abuzimin me detyrën nga ish-drejtori.

Në analizë të gjithë sa parashtruam më sipër, rezulton se ish Drejtori i Përgjtshhëm i RTSH , i hetuari Thoma Gellço,  ka zhvilluar  një proçedurë prokurimi, për pajisje për  një kanal televiziv,(RTSH AGRO) përpara se të merrte miratimin nga AMA për hapjen e këtij kanali televiziv, gati një viti përpara marrjes së miratimit nga AMA dhe 2 vjet përpara fillimit të funksionimit të këtij kanali”, thuhet në raport.

Po ashtu, KLSH ka konstatuar sipas SPAK se oferta e dhënë nga kompania e shpallur fituese nuk përmbushte kriteret dhe duhej skualifikuar që në fillim, por në vënd të këtij vendimi, Gellçi dhe tre anëtarët e KVO-së e kanë shpallur tenderin të rregullt.

Pajisjet e prokuruara pas hyrjes në magazinë, një pjesë e tyre i kanë kaluar njësisë Qëndrore në Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH dhe një pjese tjetër ka kaluar në magazinat e qëndrave vendore audiovizive Kukës, Gjirokastër, Shkodër, operatorëve sportivë,etj.

Po kështu i hetuari Thoma Gellço, pas nënshkrimit të kontratës me operatorin fitues, në datën 24.12.2018, ku si afat  përfundimtar i zbatimit të kontratës është përcaktuar data 06.02.2019.  në datën 15.02.2019  ka  nënshkruar një “kontratë shtesë për blerje paisje për kanalin RTSH Agro” duke e zgjatur afatin deri në dt 22.02.2019. Kjo shtesë kontrate bie në kundërshtim me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në dokumentat e DST, kontratën e lidhur mes palëve me datë 24.12.2018, l Nenin 2 të Ligjit nr. 9643/2006  “Për Prokurimin Publik” (i ndryshuar)”, thotë raporti.

Në këtë mënyrë  sipas SPAK,  ish-drejtori i Përgjitshëm i RTSH -së, me  dashje ka kryer veprime që vijnë në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, që i kanë sjellë personave të tjerë, operatorit fitues përfitime materiale, duke dëmtuar interesat e ligjshme të operatorëve të tjerë ekonomikë, si dhe keqmenaxhuar fondet publike, duke konsumuar kështu elementët veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës./ Abcnews.al