SPAK kërkon 30 vite burg për “të fortin” e Sukthit dhe shefin e Krimeve që e nxori në pritë

0
39

30 vite burg ka kërkuar Prokuroria e Posaçme për katër persona të konsideruar si pjesë e një grupi kriminal që ka synuar në vazhdimësi ekzekutimin e shtetasit Xhevdet Plaku, i njohur dhe me nofkën “Akili”. Megjithatë, ata kanë pranuar gjykim të shkurtuar nëse shpallen fajtorë.

Bëhet fjalë për Rexhep Rapin, njohur si “i forti” i Sukthit ose Kep Arapi, nipin e tij Algert Rapi, ish-shefin e Krimeve në Komisariatin nr.6 në Tiranë, Dedan Gjoni dhe ish-policin Dejvi Gjermeni.

Këta shtetas kërkonin të vrisnin Xhevdet Plakun dhe për të siguruar informacione mbi lëvizjet e tij, kishin rekrutuar dhe ish-shefin e Krimeve Dedan Gjoni dhe ish-policin Dejvi Gjermeni. Në kohën kur është planifikuar vrasja, Gjoni e Gjermeni kanë qenë zyrtarë të shtetit në detyrë.

Pretenca e kërkuar nga SPAK për këta katër shtetas:

1 – Rexhep Rapi, njohur dhe si Kep Arapi – 7.6 vite burg ose 5 vite me gjykim të shkurtuar;

2- Algert Rapi – 7.4 vite burg ose 4.8 vite me gjykim të shkurtuar;

3- Dedan Gjoni – 7.6 vite burg;

4- Dejvi Gjermeni – 7.4 vite burg.

Këta shtetas akuzohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Kiss (Plaku), kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Tashmë, do të jetë Gjykata e Posaçme ajo që do të vendosë në bazë të provave të organit të akuzës dhe mbrojtjes së avokatëve të të pandehurve, nëse do të japë këto vendimi dënimi, apo do të lehtësojë pozitat e të akuzuarve për planin e vrasjes së Xhevdet Plakut.

Plani për të vrarë "Akilin", SPAK kërkon 30 vite

Xhevdet Plaku,, Dedan Gjoni dhe Rexhep Rapi

Kep Arapi donte vrasjen e Xhevdet Plakut si një hakmarrje, pasi ky i fundit ishte një prej të akuzuarve për vrasjen e Sali Rapit të ndodhur në 2014-ën në Itali. Gjykata e Savonës asokohe shpalli të pafajshëm Besnik dhe Xhevdet Plakun. Sali Rapi u vra me dy plumba pistolete, por kjo armë nuk u gjet kurrë. Edhe dëshmitari Alfred Hasa, pasi doli nga spitali, u zhduk pa lënë gjurmë.

Ish-shefi Dedan Gjoni i ka dërguar Rexhep dhe Algert Rapit foto të objektivit, por për arsye të panjohura ata janë tërhequr nga plani i vrasjes së Xhevdet Plakut dhe fatmirësisht atentati i planifikuar ndaj “Akilit” nuk u krye kurrë.

Kush është Xhevdet Plaku

Xhevdet Plaku është emër i njohur për policinë shqiptare dhe jo vetëm. Ai njihet si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilën e drejtonte nga Amsterdami. I njohur me nofkën “Akili”, Xhevdet Plaku përdorte 25 identitete të ndryshme për të mos rënë në gjurmët e policisë.

Pakove të drogës Xhevdet Plaku u vinte emra sipas cilësisë së mallit që kishte brenda, duke i pagëzuar si markat e njohura të modës apo të luksit. Kokainë më e pastër quhej “Hermes”, pastaj vinin “Lacoste”, “G4”, “Rolls Royce” e “Playboy”.

© Newsbomb.al