SPAK kërkon burg përjetë për porositësin e vrasjes së Dejvi Kasmit, komando që e ekzekutoi erdhi nga Greqia

0
106

Prokuroria Speciale SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të shtetasit Aurel (Altin) Hoxhallari, duke e akuzuar atë për një sërë veprash penale, me në total 70 vite burg dhe një burgim të përjetshëm.  Në fund, SPAK i ka kërkuar gjykatës që Hoxhallari të dënohet me një vendim të përbashkët, atë të burgut përjetë.

I arrestuari akuzohet si porositës i vrasjes së Dejvi Kasmit, ndërsa në burg bashkë me të është dhe komando grek që kreu vrasjen, Ethymiou Ethymiou. Të dy kanë mohuar përfshirjen, por nga hetimet u zbulua vrasja dhe një sërë veprash të tjera penale.

Dejvi Kasmi u ekzekutua në një atentat mafioz në Tiranë, mbrëmjen e 29 janarit 2018, nga një ekzekutor me pagesë. Ish-komandoja grek Ethimios Efthimiou u zbulua dhe u arrestua nga autoritetet shqiptare, të cilat e kanë dënuar me burgim të përjetshëm.

Njoftim për shtyp – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në datën 19.01.2023, konkluzionet përfundimtare të çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Aurel (Altin) Hoxhallari, duke kërkuar ndërmjet të tjerave:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (Altin) Hoxhallari, për veprën penale të “Vrasja me paramendim për interes”,  kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturar kriminal, në dëm të viktimës Dejvi Kasmi, dhe në bazë të neneve 78/2, 28/4 dhe 334/3 të Kodit Penal, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (Altin) Hoxhallari, për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe në bazë të neneve 278/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 12 vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (Altin) Hoxhallari, për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, e kryer në sasi të mëdha dhe në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, dhe bazuar në nenet 278/6, 334/1 dhe 28/4 të Kodit Penal dënimin e tij me 15 vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (Altin) Hoxhallari, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe në bazë të nenit 283/2 dhe 334/1 e 28/4 të Kodit Penal, dënimin e tij me 20 vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (Altin) Hoxhallari, për veprën penale të “Kultivimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe në bazë të neneve 284/2, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dënimin e tij me 15 vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (Altin) Hoxhallari, për veprën penale të “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal dënimin e të pandehurit Aurel (Altin) Hoxhallari me një dënim të vetëm me burgim të përjetshëm.

Vujatja e dënimit të bëhet në një burg të sigurisë së lartë dhe të fillojë nga dita e ndalimit të tij.

Sqarim: Konkluzionet përfundimtare janë pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet ipafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë