SPAK ka marrë të pandehur kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai me katër akuza për korrupsion pasiv, shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe fshehje pasurie.
Akuzat, Isait i janë komunikuar ditën e djeshme, të martën, ndërsa Voxnews.al mëson se bashkë me të janë marrë të pandehur edhe 6 persona të tjerë zyrtarë të Bashkisë së Kolonjës.
Hetimet e SPAK janë fokusuar lidhur me një shembje masive që ndodhi në aksin rrugor Korçë-Ersekë si dhe me disa tendera të Ujësjellësit.
Isai ka qenë subjekt i një auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2023, dhe është thirrur në tetor të vitit të kaluar në SPAK, ku ka dëshmuar për rreth një orë para prokurorëve.
Sipas kallëzimit të KLSH, Isai ka kryer abuzime me tenderat me kosto miliona euro. Ai akuzohet se ka konsumuar më shumë se një herë veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.