Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se është regjistruar procedimi penal ndaj Belinda Ballukut, tashmë të pezulluar nga detyra dhe ish kreut të Tatimeve, aktualisht deputet i PS, Ceno Klosi.
Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar nga Adriana Kalaja.
Po ashtu SPAK sqaron se materiali kallëzues shtesë ardhur dhe protokolluar më datë 16.09.2025, në lidhje me këtë kallëzim është administruar në kuadër të procedimit penal Nr.95, viti 2025.
“Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se është regjistruar procedimi penal me Nr.95, viti 2025, mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar nga shtetasja Adriana Kalaja kundër shtetasve Belinda Balluku, Ceno Klosi etj.
“Materiali kallëzues shtesë ardhur dhe protokolluar më datë 16.09.2025, në lidhje me këtë kallëzim është administruar në kuadër të procedimit penal Nr.95, viti 2025.
Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake”, thote SPAK.
Balluku nen hetim per dy tendera, e pezulluar nga detyra
Kujtojmë që Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të shtunën më 22 nëntor të vazhdojë zbatimin e masave të sigurimit personal të caktuara ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shtetit të saj, pas marrjes së pandehur nga ana e SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, vepra penale të kryera në bashkëpunim me vartësit e saj.
Po ashtu, u vendos vijimi i masave të sigurimit personal “Arrest në shtëpi” ndaj të pandehurit Erald Elezi me funksion aktual administrator i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, KESH dhe për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli. Gjykata urdhëron SPAK dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.


