SPAK ka kryer kontrolle në banesat e disa bashkëpunëtorëve të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, emri i të cilës është regjistruar si person nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Lajmi konfirmohet për News24 dhe BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Kontrollet janë ushtruar në banesat e dy zonjave, bashkëpunëtorëve të ngushta të Ballukut si dhe në një zyrë. Njëra prej këtyre bashkëpunëtorëve, nuk është më në detyrë.
Nga informacionet e deritanishme çështja ka derivuar ndaj ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi, që është pas hekurave nën akuzë zyrtare për ‘korrupsion’, shkelje të barazisë në tendera dhe akuza për pasurinë e tij. Kanë derivuar dhe disa çështje të tjera, që kanë të bëjnë me kryebashkiakun e Shkodrës Benet Beci dhe disa zyrtarë të lartë të tjerë, si Gentian Gjyli, që lidhen me detyra në OSHEE dhe KESH. Fakti që i është bërë me dije zonjës Balluku se po hetohet për tendera, është e paqartë se për çfarë po hetohet. Ajo ka statusin e personit nën hetim
Fakti që është ftuar në SPAK ditën e hënë, të jetë e shoqëruar nga një avokat, nënkupton se mund t’i komunikohet apo bëhet me dije një akuzë penale. Sipas Lalës, me gjasë mund t’i komunikohet akuza e shkeljes së barazisë në tendera, kryer në bashkëpunim.


