Drejtori i Aksion Plus, organizatë që merret me çështjet sociale, përfshirë dhe përdorimin e drogës, Genci Muçollari i ftuar në Ora News me gazetaren Sonila Musai ka folur mbi situatën aktuale të përdorimit të drogës në Shqipëri.
Ai u shpreh se ka rritje të numrit të përdoruesve.
Muçollari: Ne nisemi nga shifrat që kemi në qendrat tona por dhe nga shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë. Gjithmonë kemi rritje të numrit të përdoruesve të drogës. Për shembull nëse në 1995 kishte një numër prej 6 mijë përdorues të të gjitha drograve tani bëhet fjalë për 50 mijë deri 60 mijë përdorues që mund ta kenë përdorur drogën një herë në jetën e tyre, ndërsa 7 mijë deri 8 mijë janë përdorues të drograve të rënda që në njëfarë mase duan një lloj terapie, trajtimi. Edhe në qendrën tonë rritjet kanë qenë të po kësaj mase po të flasim para 5 vitesh kemi pasur rreth 700-750 klientë. Tani bëhet fjalë për 950 dhe numrat janë në rritje.
Ai u shpreh se ka dhe përdorues të moshave të vogla ku më e ulëta ishte 10 vjeç.
Muçollari: Flasim për përdorues midis të rinjve që numri është rritur, përdorimi i heroinës e kokainës është rritur pothuajse dyfish. Grupmosha mesatare është nga 22 deri 35, ka dhe raste heroine ku shkon deri në 10 vjeç.
Gjithashtu Muçollari foli dhe për vështirësitë me të cilat hasen pasi nuk kanë staf për të përballuar fluksin e personave që kanë nevojë për trajtim.
Muçollari: Kemi staf jo të duhur për të përballuar një fluks të fillë. Vetëm në qendrën e Tiranës kemi 220 klient me një stafë prej 4-5 veta ku vetëm 3 prej tyre janë staf psikosocial. Për 15 përdorues duhet të kishte një staf të paktën. Puna jonë vështirësohet dhe bëhet përtej atij kualiteti që duhet të presim.