Trajneri Mancini vendosi të aktivizojë një pjesë të madhe të stolir sot, duke lënë vetëm Bonuçin, Donnarumman dhe Jorginhon nga titullarët fiks. Gjithsesi, as rezervat nuk zhgënjyen sepse e dominuan ndeshjen. Pas disa rasteve të pastra, në minutën e 39 erdhi edhe goli i ndeshjes.
Matteo Pessina finalizoi me mjaft mjeshtri një skemë gjatë një goditje dënimi nga e djathta. Pas golit Uellsi u mundua të reagojë, por edhe u tensionua dhe në muntën e 55 Ampadu e tregoi qartë këtë, duke ndërhyrë ashpër në mesfushë dhe u ndëshkuar me karton të kuq.
Pas kësaj Italia e kishte në kontroll ndeshjen dhe goditi edhe shtyllën me Bernardeschi. Ndërkohë, Uellsi u shfaq me shkëndija, mes tyre një rast i pastër i Bale, që gaboi pranë zonës së 5 metërshit. Kështu, kjo ndeshje u mbyll me shifrat 1-0 dhe Italia u kualifikua si kokë grupi.
Në fazën tjetër të turneut kualifikohet edhe Uellsi, që përtej humbjes së sotme, grumbulloi 4 pikë dhe kapi vendin e dytë falë golavarazhit më të mirë se Zvicra, që tashmë duhet të presë dhe me shumë mundësi do jetë mes katër vendeve të treta më të mira.
NDESHJA TJETËR – Helvetët fituan sot me shifrat 3-1 ndaj Turqisë në Baku. Ylli i ndeshjes ishte Xherdan Shaqiri autor i dy golave, njëri më i bukur se tjetri. Sfidën e hapi Haris Seferovic, që goditi bukur dhe gjeti cepin e portës, duke gjetur avantazhin që në minutën e 6.
Pas 20 minutave, Xherdan Shaqiri shënoi një nga golat më të bukur të Euro 2020 dhe çoi shifrat në 2-0. Turqia, totalisht zhgënjyese këtë edicion u përgjigj me supergolin e Irfan Can Kahveci në minutën e 62-të, por Shaqiri nuk e kishte thënë fjalën e fundit.
Ylli i Liverpool pas 6 minutash nga goli i ballkanasve hyri sërish në skenë dhe shënoi golin e dytë personal dhe vulosi rezultatin 3-1. Siç e thamë më lart Zvicra e mbyll e treta dhe duhet të presë nëse bën pjesë në 4 të tretat më të mira për të kaluar në 1/8-at. Ndërkohë, Turqia e mbyll me vetëm 1 gol të shënuar. /abcnews.al