Senatorja australiane e ekstremit të djathtë, Pauline Hanson, shkaktoi polemika të forta në Parlamentin e Australisë pasi u paraqit e veshur me burkë të martën, në një përpjekje për të nxitur ndalimin e mbulesës myslimane në publik.
Veprimi i saj u prit me reagime të menjëhershme dhe kritika të ashpra nga senatorë dhe deputetë myslimanë, të cilët e cilësuan aktin si racist dhe provokues.
Hanson veshi burkën pasi iu refuzua leja për të paraqitur një projektligj që synonte ndalimin e mbulesave të plota të fytyrës në hapësira publike. Kjo është hera e dytë që ajo shfaqet në parlament me këtë veshje, pas një veprimi të ngjashëm në vitin 2017.
Hyrja e saj në sallë me burkë shkaktoi zemërim në radhët e senatorëve. Seanca u pezullua kur Hanson refuzoi ta hiqte mbulesën. “Kjo senatore është raciste dhe raciste hapur,” deklaroi Mehreen Farooqui, senatore myslimane e Partisë së Gjelbër nga Uellsi i Ri Jugor. E njëjta gjë u pasua nga deputetja e pavarur myslimane, Fatima Paiman, nga Australia Perëndimore, e cila e quajti veprimin “të turpshëm”. Në një postim të mëvonshëm në Facebook, Hanson mbrojti veprimin e saj duke e cilësuar si akt proteste ndaj “rrëzimit të padrejtë” të projektligjit të saj për ndalimin e burkës. “Nëse parlamenti nuk e ndalon, atëherë unë do ta vesh këtë veshje radikale, shtypëse dhe jo-fetare… Nëse nuk duan që unë ta vesh – ndaloni burkën,” shkroi ajo.
Dënime nga shumica dhe opozita
Udhëheqësja e Partisë së Punës në Senat, Penny Wong, e quajti sjelljen e Hanson “të papërshtatshme për një senatore”, duke paraqitur një mocion për largimin e saj nga salla për refuzimin e heqjes së burkës. Pas kundërshtimit të Hanson për t’u larguar, seanca u ndërpre plotësisht. Zëvendëskryetarja e opozitës, Anne Ruston, gjithashtu dënoi veprimin, duke e cilësuar atë si një provokim të panevojshëm që dëmton debatin publik dhe respektin institucional.
Një figurë e njohur për retorikë anti-imigracion
Pauline Hanson, senatore e Queensland-it, është bërë e njohur që në vitet 1990 për qëndrimet e saj kundër imigracionit aziatik dhe azilkërkuesve. Ajo ka qenë prej kohësh kundërshtare e veshjeve myslimane dhe është shfaqur më herët në parlament me burkë si pjesë e fushatës së saj për ndalimin e saj. Partia e saj, One Nation (Një Komb), aktualisht mban katër vende në Senat, pasi rriti përfaqësimin në zgjedhjet e majit mes një klime politike të shënuar nga rritja e retorikës së ekstremit të djathtë dhe qëndrimeve anti-imigracion në Australi.


