Ditën e sotme studentët paralajmëruan sërish protesta nëse deri ditën e mërkurë në llogarinë e tyre nuk do të kaloheshin paratë që përfitonin nga fondi i bursave. Ata kanë thënë se prej 4 muajsh nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga fondi që u takon.
Universiteti i Tiranës përmes një njoftimi bën me dije se nga 6 fakultete vetëm ai i Ekonomisë nuk i ka shpërndarë këto bursa, për shkak se ka një numër të madh përfituesish dhe është duke u bërë një verifikim i listës.
Ndërkohë fakulteti i Ekonomisë në faqen zyrtare njofton se studentët të cilët janë përfitues të bursës se pagesat për muajt Tetor – Nëntor – Dhjetor po kryhen.
“Njoftohen të gjithë studentët, të cilët janë përfitues të bursës për vitin akademik 2021 – 2022, se pagesat për muajt Tetor – Nëntor – Dhjetor po kryhen. Ndërkohë bankat po procedojnë me kalimet në llogaritë personale të studenteve përfitues sipas listës emërore bashkëlidhur.
Kujdes! Studentët që kanë problem me kalimin e bursës në llogaritë individuale të konfirmojnë pas datës 22.02.2022, (vonesë 4 ditë për shkak të procedurës së kalimit nga thesari në llogari bankare), të parqiten pranë Degës së Financës dhe Buxhetit për të konfirmuar numrin e llogarisë. Procedurë kjo që bëhet pengesë për kalimin e bursave dhe që ka nisur që prej muajit Nëntor 2021”– thuhet në njoftimin e Fakultetit të Ekonomisë.