Studim befasues nga fshati që infektoi Europën me koronavirus

0
275

Ky lajm është vërtet befasues.

Një studim i Universitetit të Innsbruck-ut në Austri ka zbuluar se gjysma e banorëve të fshatit Ischgl kanë antitrupa për koronavirusin. Ky është numri më i lartë në botë.

Sa për informacion, Ischgl është një resort turistik që mendohet se e ka shpërndarë virusin në shumë vende të Europës. Por duket se edhe vetë banorët e kanë kaluar sëmundjen, shumica pa e ditur.

Fshati Ischgl njihet edhe si Ibiza e Alpeve. Qindra e mijëra njerëz nga Europa shkojnë për ski.

Por këtë herë, edhe pse u bë e qartë se një klub i famshëm po kthehej në vatër infeksioni, resorti nuk u mbyll dhe prej andej kanë vërshuar mijëra raste.

Nga ana tjetër edhe autoritetet austriake kanë vendosur të hetojnë për rastin, pasi mendohet se fshati nuk u mbyll me qëllim maksimizimin e fitimeve nga sezoni turistik.

HISTORIA

Më 29 shkurt, një avion u ul në kryeqytetin islandez, Rejkjavik. Në bord, shumica e pasagjerëve ishin turistë, që sapo ishin kthyer nga pushimet në fshatin Ischgl në Tirol të Austrisë.

Të rinjtë kishin bërë ski në fshatin me 1500 banorë, të njohur si parajsa e skive.

Për shkak të situatës së koronavirusit, ata iu nënshtruan testimeve. Gjysma e tyre ishin pozitivë.

Menjëherë u kuptua se zona e Tirolit ishte e rrezikshme.

Për pak ditë u kuptua se rasti i Islandës nuk ishte i izoluar. Shumë vende në Europën qendrore dhe veriore kishin raste të importuara nga Tiroli i Austrisë. Më 7 mars, autoritetet norvegjeze testuan një grup turistësh që kishin qenë në Ischgl për ski. Të nesërmen u mësua se thuajse gjysma e personave të infektuar në Norvegji, 491 nga 1198, kishin qenë në Ischgl për ski.

Më 13 mars, edhe Gjermania e shpalli këtë zonë të rrezikshme, pasi 200 njerëz që kishin qenë me autobus në Ischgl, rezultuan pozitivë.

Pavarësisht alarmit, edhe fundjavën vazhdoi turizmi në Ischgl. Më 15 mars u lajmërua për situatën. Qindra turistë nisën të largohen, shumë prej tyre pa u testuar.

Qindra e mijëra raste nëpër Europë e kanë origjinën nga ky vend. “Babëzia për paratë e mposhti përgjegjshmërinë për shëndetin e njerëzve”, tregohet e ashpër gazeta austriake Der Standard në një koment.

Sipas saj, qeveria lokale e Tirolit kërkonte të grumbullonte sa më shumë të ardhura deri në fund të sezonit turistik.

© SYRI.net