Përderisa studimet e tjera do ta mbështesin, përmirësimi i shikimit në të ardhmen mund të bëhet shumë i lehtë, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Në bazë të një studimi të fundit, nëse shihni një dritë të kuqe për disa minuta, mund të ketë një efekt dramatik në parandalimin e dobësimit të shikimit ndërsa plakeni. Nëse këto rezultate përsëriten në studimet e ardhshme, dhe miratohen nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në ShBA, ky zbulim mund të shënoj një epokë të re, në të cilën nejrëzit do ta kenë shumë më të lehtë që në kushte shtëpie të përmirësojnë shikimin e tyre.
“Ju nuk keni nevojë ta praktikoni këtë metodë më shumë se disa minuta, dhe do të keni rezultate të dukshme” tha autori i studimit, Glen Jeffery, profesor i neuroshkencës në Institutin e Oftamologjisë ne Londër.
Ky zbulim mbështetet edhe shkencërisht, për shkak se drita stimulon funksionimin sa më të mirë të mirokondrive, të cilat njihen si bateri e energjisë në qelizat tona. Dhe për shkak se mitokondria është e përfshirë në një gamë të gjerë sëmundjesh, terapitë e bazuara në këto organele qelizore do të na çojnë në trajtimin e shumë sëmundjeve, duke përfshirë edhe diabetin dhe Parkinsonin.
Sipas shkencëtarëve, studimi ishte i vogël, sa për të provuar konceptin. Ata rekrutuan 12 meshkuj dhe 12 gra, moshat e të cilëve varionin nga 28 deri në 72 vjeç. Secilit pjesëmarrës ju dha një elektrik dore, që lëshonte një dritë të kuqe me një gjatësi valore prej 670 nanomotra.
Kjo gjatësi valore është shumë pak më e madhe se gjatësia valore e rrezeve infra të kuqe, e cila ka tendencë të jetë e padukshme për syrin e njeriut.
Ata kaluan tre minuta çdo ditë duke parë dritën e kuqe për dy javë me rradhë. Pas dy javëve, studiuesit matën funksionin e konit të syve, të cilët janë receptorë që diktojnë ngjyrën, si dhe ndjeshmërinë e shufrës së syrit, që janë qeliza të specializuara, që na ndihmojnë të shohim në dritë të errët.
Si rezultat, shkencëtarët kishin vërejtur një përmirësim prej 14% në aftësinë e të parit ngjyrat tek të gjithë pjesëmarrësit, e sidomos tek personat mbi moshën 40-vjeçare.
“Retina plaket më shpejt se çdo organ tjetër në trupin tuaj”, tha Jefferi. “Nga një këndvështrim evolucionar, në thelb ne nuk kemi jetuar kurrë më shumë se 40 vjet”.
Siç dihet, të rritur mbi moshën 40-vjeç janë më të rrezikuar të preken nga sëmundjet e syrit si kataraktet, retinopatia diabetike, glaukoma dhe degjenerimi makular i lidhur me moshën. Këto sëmundje mund të ndodhin edhe tek të rinjtë por më rrallë. Çrregullimet e tilla trajtohen më vështirë, prandaj ekspetët rekomandojnë testimet e rregullta të syve, sidomos për personat që i kanë kaluar të 40-at.
Gjithsesi, ekspertët pretendojnë të kryejnë studime të tjera masive, në mënyrë që ta konfirojnë këtë teori. /Gazeta Express