Në vitin 2050, numri i konsumatorëve që janë mbi 65 vjeç do te jetë sa gjysma (49%) e numrit të punonjësve të të gjitha moshave, në Shqipëri. Treguesi, i cili njihet si norma e varësisë ekonomike të të moshuarve është publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në një studim për plakjen e popullsisë globale. Ky tregues, në vitin 2019 në vend ishte vetëm 28%.
Rritja e varësisë ekonomike të të moshuarve është e lidhur me plakjen e popullsisë dhe uljen e normës së fertilitetit (lindshmërisë). OKB thotë se në vitin 2019 në vend kishte 409 mijë persona të moshës mbi 65 vjeç, ose 14% e totalit të popullsisë. Ndërsa në 2050-n, numri i të moshuarve mbi 65 vjeç do të jetë 617 mijë, ose 25% e totalit.
Ndërsa norma e varësisë së të moshuarve, e cila mat numrin e personave mbi 65 vjeç për 100 persona që janë në moshë pune (20-64 vjeç), do të jetë 43.8.
Aktualisht në Shqipëri ka 23.2 të moshuar 65 vjeç e sipër, për çdo 100 persona në moshë pune (20-64 vjeç). Pra deri në 2050-n, ky tregues pothuajse do të dyfishohet, duke shtuar presionet për shërbime tek të moshuarit, por duke ndikuar negativisht dhe në skemën e pensioneve, pasi do të ketë më pak kontribuues për më shumë pensionistë. Një tjetër efekt lidhet me produktivitetin e punës, pasi do të jetë gjithnjë e më e vështirë për të gjetur në rinj në tregun e punës.
OKB parashikon që gjithnjë e më shumë femra të moshuara do të mbeten vetëm. Në 2019-n kishte 92.3 meshkuj për 100 femra të moshës mbi 65%. Në 2050-n, ky tregues pritet të zbresë në 88.3.
OKB thotë se studimet e fundit tregojnë se plakja e popullsisë do të rrisë presionin financiar për sistemet e mbështetjes së moshës së vjetër. Në vendet ku transfertat publike janë të larta, përfshirë shumë shtete në Evropë dhe Amerikën Latine, plakja e popullsisë do të rrisë presionin fiskal në sistemet e transftave publike, veçanërisht nëse modelet aktuale të taksimit dhe përfitimeve mbeten të pandryshuara.
Në Shqipëri, psh, në vitin 2019, rreth 35 % të shpenzimeve totale të buxhetit shkojnë për mbulimin e skemës deificitare të pensioneve, sipas shifrave zyrtare nga Ministria e Financave (shënim i Monitor).
Raporti thotë se plakja e popullsisë është një fenomen global. Pothuajse çdo vend në botë po përjeton rritje si në madhësinë ashtu edhe në përqindjen e personave të moshuar në popullatë. Në vitin 2019, kishte 703 milion persona të moshës 65 vjeç e mbi popullsinë globale. Ky numër parashikohet të dyfishohet në 1.5 miliardë në vitin 2050.
Në nivel global, pjesa e popullsisë së moshës 65 vjeç ose më shumë u rrit nga 6 për qind në 1990 në 9 për qind në 2019. Ky proporcion parashikohet të rritet më tej në 16 për qind në 2050, kur pritet që një në gjashtë njerëz në të gjithë botën të jetë i moshës 65 vjeç ose më shumë.
Në përgjithësi, numri i personave të moshës 80 vjeç ose më i vjetër gati është trefishuar midis viteve 1990 dhe 2019, duke u rritur nga 54 milion në 143 milion; parashikohet të trefishohet përsëri midis 2019 dhe 2050 për të arritur në 426 milion.
Midis 1990 dhe 2019, numri i personave të moshës 80 vjeç e më shumë u dyfishua në të gjitha rajonet, përveç Evropës dhe Amerikës Veriore dhe u trefishua në katër nga tetë rajone. Midis 2019 dhe 2050, numri i personave të moshës 80 vjeç ose më shumë parashikohet të shënojë rritjen më të madhe të përqindjes në Azinë Lindore dhe Jug-Lindore dhe në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore.
Ritmi i plakjes së popullsisë ka qenë më i shpejtë në Azinë Lindore dhe Jug-Lindore dhe në Amerikën Latine dhe Karaibe. Përqindja e popullsisë së moshës 65 vjeç ose më shumë është pothuajse dyfishuar në Azinë Lindore dhe Jug-Lindore, duke u rritur nga 6 për qind në 1990 në 11 për qind në 2019, dhe në Amerikën Latine dhe Karaibe, duke u rritur nga 5 për qind në 1990 në 9 për qind në 2019. Midis 2019 dhe 2050, pjesa e personave të moshuar është parashikuar të paktën të dyfishohet në katër rajone: Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore, Azinë Qendrore dhe Jugore, Amerikën Latine dhe Karaibet, Azia Jug-Lindore.