Mjekët shqiptarë me një eksperiencë mes 10 dhe 25 vite punë rezultojnë se janë më pak të paguarit në Europë. Sipas një studimi polak, Shqipëria renditet në fund të listës së vendeve europiane për pagat e punonjësve të shëndetësisë.
Bordi Kombëtar i Unionit Mjekësor të Polonisë ka mbledhur kongresin e radhës në këto ditë të para të Tetorit 2024 dhe ka publikuar të dhënat e studimit.
Në fakt, theksi bie mbi Poloninë e cila renditet e parafundit në listë për pagat e mjekëve, duke llogaritur pagën bruto, atë neto dhe të ardhurat në bazë të Prodhimit të Brendshëm. Pra, studimi është realizuar për situatën në Poloni, por në listë bie në sy dhe Shqipëria.
Siç shihet dhe në grafik, vendi ynë renditet i fundit pas Bullgarisë, Greqisë, Republikës Çeke dhe Polonisë. Pavarësisht se mjekët shqiptarë janë më të paguar referuar Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit të tyre, sërish ata janë të fundit për pagën bruto dhe atë neto.
Të dhënat kanë marrë në krahasim pagat e mjekëve me eksperiencë nga 10 deri në 25 vjeçare, nga njëzetenjë vende europiane.
Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë vitet e fundit nisma konkret për rritjen e pagave të mjekëve profesionistë dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, por siç duket nga të dhënat, rritja dhe standardi është shumë larg atij europian ku vendi ynë synon të shkojë.
© Newsbomb.al