Ashtu siç ishte parashikuar stuhia Junis shkaktoi dëme materiale të pallogaritshme, si dhe la të vdekur të paktën 9 persona në Britaninë e Madhe, Holandë dhe Belgjikë.
Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhisë vdekjeprurëse Eunice në Angli, Irlandë, Belgjikë e Holandë.
Stuhia, e cila ishte një nga më të mëdhatë ndër dekada, fillimisht përfshiu Britaninë e Madhe, duke shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturore dhe duke lënë qindra mijëra familje pa energji elektrike.
Një 30-vjeçare në Londër dhe një 60-vjeçar në Irlandë humbën jetën pasi 2 pemë ranë mbi makinat e tyre si pasojë e stuhisë
Edhe dy burra të tjerë vdiqën pasi u aksidentuar teksa po drejtonin automjetet e tyre në Londër dhe në jug të Anglisë.
Si pasojë e stuhisë së fortë, u regjistruan erëra me shpejtësi afro 196 km/h.
Mësimi nëpër shkolla dhe transporti u pezullua pothuajse në shumicën e zonave të Britanisë së Madhe.
Në Holandë, dy persona humbën jetën nga rrëzimi i pemëve në Amsterdam dhe një i tretë në qytetin e Dimen, sipas shërbimit zjarrfikës.
Probleme u raportuan edhe në Belgjikë, ku erërat e stuhishme shkaktuan rënien e një vinçi në çatinë e një spitali.
Sipas medieve belge një 79-vjeçar humbi jetën, ndërsa një tjetër u rrëzua nga varka si pasojë e erërave të forta duke humbur jetën.