Subvencionet për fermerët, Çuçi: Aplikantët do të përfitojnë 400 milionë lekë shtesë

0
478

Të gjithë fermerët që kanë aplikuar për subvencione do të përfitojnë një shtesë prej 400 milionë lekësh. Lajmin e dha Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi i cili ndoqi nga afër procesin e vaksinimit të bagëtive kundër sëmundjes së brucelozës. Këtë vit vaksinimi do të kryhet falas. 

Fermerët që kanë aplikuar këtë vit do të përfitojnë 400 milionë lekë shtesë subvencione. Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi tha se me këtë fond do të mbulohen gati 95% e rreth 8 mijë aplikantëve që kualifikohen dhe s’kanë mangësi në kriteret e përcaktuara më parë.

”Falenderoj edhe një herë ata fermerë të cilët aplikuan në skemën kombëtare sivjet. Një skemë e cila po rezulton e suksesshme pasi në rreth 8 mijë aplikime, rreth 95% e të gjithë aplikantëve do t’i paguajmë dhe do t’i subvencionojmë.”

Çuçi ishte në Tragjas të Vlorës për të ndjekur nga afër procesin e vaksinimit të bagëtive kundër brucelozës. Ky proces realizohet falas për të gjithë fermerët.

”Vaksinimi i bagëtive do të kryhet falas nga shërbimi veteriner, i cili po rirganizohet totalisht, falë edhe miratimit të ligjit të fundit në parlament për shërbimin veterinar, duke e kaluar 100% në varësi të ministrisë.”

Për brucelozën do të vaksinohen në të gjithë vendin rreth 400 mijë krerë të imta, ndërsa për rajonin jugor në qarqet Fier, Vlorë e Gjirokastër, do të bëhen rreth 178 mijë vaksina. Me ligjin e ri të Shërbimit Veterinar është parashikuar të punësohen rreth 400 veterinerë në të gjithë vendin.

Ora