Sugjerime për një shëndet më të mirë

0
275

SKUSH nuk ka qejf të sëmuret. Sëmundjet janë të bezdisshme dhe të zbrazin xhepin, për të mos thënë më shumë. Jo vetëm të bëjnë të ndihesh keq, por edhe të pengojnë të shkosh në punë a në shkollë, të fitosh para ose të kujdesesh për familjen. Madje mund të kesh nevojë që dikush të të rrijë te koka, dhe ilaçet e mjekimet mund të kushtojnë goxha.

Nuk thonë kot «më mirë t’i parandalosh, se t’i kurosh». Disa sëmundje s’i shmang dot. E megjithatë mund të bësh shumë që t’i parandalosh ose të ngadalësosh përparimin e tyre. Shqyrto pesë sugjerime për një shëndet më të mirë.

 1 MBAJ HIGJIENË TË MIRË

Mjete për higjienë të mirë fizike e orale

Sipas klinikës «Mejo» «mbrojtja më e mirë kundër sëmundjeve dhe përhapjes së tyre» është larja e duarve. Kur fërkon sytë ose hundën me duar me mikrobe, ftohesh e të zë gripi më kollaj. Prandaj, gjëja më e mirë është të lash duart rregullisht. Higjiena e mirë mund të parandalojë edhe sëmundje më të rënda, si pneumoninë dhe sëmundjet diarreike, që çdo vit bëhen shkak për vdekjen e mbi dy milionë fëmijëve nën pesë vjeç. Edhe përhapja e virusit vdekjeprurës të Ebolës mund të pakësohet thjesht duke bërë zakon larjen e duarve.

Ka disa raste kur është edhe më e rëndësishme të lash duart për të mbrojtur shëndetin tënd dhe të të tjerëve. Duhet t’i lash duart:

  • Pasi të shkosh në banjë.

  • Pasi t’i ndërrosh pelenat fëmijës ose pasi ta kesh çuar në banjë.

  • Para dhe pasi të mjekosh një plagë ose një të prerë.

  • Para dhe pasi të takosh një të sëmurë.

  • Para se të përgatitësh, të hash ose të shërbesh ushqim.

  • Pasi të teshtish, të kollitesh a të shfrysh hundët.

  • Pasi të prekësh një kafshë ose jashtëqitje kafshësh.

  • Pasi të hedhësh plehrat.

Mos u mjafto duke i larë duart shkel e shko. Studimet kanë treguar se një përqindje e madhe e atyre që përdorin banjat publike nuk i lajnë duart fare ose nuk i lajnë si duhet. Si duhet t’i lash duart?

  • Njomi me ujë të rrjedhshëm e të pastër dhe fërkoji me sapun.

  • Shkumoji mirë, pa harruar thonjtë, gishtat e mëdhenj, kurrizin e dorës dhe pjesën midis gishtave.

  • Fërkoji për të paktën 20 sekonda.

  • Shpëlaji me ujë të rrjedhshëm e të pastër.

  • Thaji me peshqir të pastër ose me letër duarsh.

Këto janë masa të thjeshta, por parandalojnë sëmundjet dhe shpëtojnë jetë.

 2 PËRDOR UJË TË PASTËR

Gotë me ujë të pastër dhe copa limoni

Në disa vende, çdo ditë njerëzit mundohen shumë që të sigurojnë ujë të pastër. Prapëseprapë, ai mund të kthehet në problem në çdo pjesë të botës po të ndotet nga përmbytjet, stuhitë, çarjet e tubacioneve ose nga shkaqe të tjera. Nëse nuk vjen nga një burim i sigurt ose nëse nuk ruhet si duhet, mund të shkaktojë parazitë, kolerë, diarre vdekjeprurëse, tifo, hepatit dhe sëmundje të tjera. Çdo vit rreth 1.7 miliardë raste me sëmundje diarreike lidhen me ndotjet e ujit të pijshëm.

Mund të bësh shumë që t’i parandalosh sëmundjet ose të ngadalësosh përparimin e tyre

Kolera shfaqet më shpesh kur uji dhe ushqimi ndoten nga jashtëqitjet e njerëzve të infektuar. Ç’masa mund të marrësh për t’u mbrojtur nga ndotjet e ujit, madje edhe menjëherë pas shpërthimit të një katastrofe?

  • Sigurohu që uji i pijshëm—uji për larjen e dhëmbëve, për akull, për larjen e ushqimeve dhe të enëve ose për gatim—të vijë nga një burim i pastër. Për shembull, të jetë ujë me shishe nga firma me emër ose ujë nga rezerva publike të trajtuara si duhet.

  • Nëse dyshon se tubacionet janë ndotur, zieje ujin para se ta përdorësh ose trajtoje me kimikate dezinfektuese të përshtatshme.

  • Kur përdor kimikate të tilla, si klori ose tableta për pastrimin e ujit, ndiq me kujdes udhëzimet e prodhuesit.

  • Përdor filtra cilësorë nëse mund t’i gjesh dhe nëse ta mban xhepi.

  • Ujin e trajtuar mbaje gjithmonë në enë të pastra e të mbuluara.

  • Sigurohu që çdo enë që përdor për të marrë ujë, si garuzhda, të jetë e pastër.

  • Mos i prek enët me duar të papastra dhe mos i fut duart apo gishtat në ujin e pijshëm.

 3 BËJ KUJDES ME USHQIMET

Ushqime të shëndetshme të grupeve të ndryshme

Nuk ka shëndet të mirë pa ushqim të mirë. Prandaj duhet të mbash një dietë të shëndetshme e të ekuilibruar. Duhet të bësh kujdes me sasinë e kripës, të yndyrës e të sheqerit dhe me madhësinë e racionit. Ha fruta e perime dhe ndryshoje herë pas here menunë. Kur blen bukë, drithëra, makarona ose oriz, lexo listën e përbërësve e zgjidh ato me përbërje integrale. Ato kanë më shumë vlera ushqyese dhe fibra sesa ushqimet me drithëra të përpunuara. Për sa u përket proteinave, ha racione të vogla mishi pa dhjamë dhe, nëse është e mundur, përpiqu të hash peshk nja dy herë në javë. Në disa vende mund të gjenden ushqime të pasura në proteina me prejardhje bimore.

Përdorimi i tepërt i sheqerit dhe i yndyrave të ngurta, si gjalpi, mund të të çojë në mbipeshë. Për të ulur rrezikun, pi ujë, në vend të pijeve të ëmbla. Ha fruta, në vend të ëmbëlsirave. Pakëso yndyrat që merr nga sallami, mishi, gjalpi, ëmbëlsirat, djathi dhe biskotat. Gatuaj me vajra të shëndetshëm në vend të yndyrave të ngurta.

Kripa e tepërt, ose natriumi në veçanti, rrit tensionin e gjakut. Nëse ke probleme me tensionin, lexo informacionin në paketimin e ushqimeve që të marrësh sa më pak natrium. Në vend të kripës, përdor erëza dhe spec djegës për t’u dhënë shije gatimeve.

Sasia mund të jetë po aq e rëndësishme sa edhe lloji i ushqimit. Prandaj, gjatë vakteve, në momentin që nuk ndien më uri, mos ha më.

Një problem tjetër është edhe helmimi i ushqimit. Çdo ushqim mund të bëhet helmues nëse nuk përgatitet dhe nuk ruhet si duhet. Sipas OBSH-së, çdo vit miliona veta helmohen nga ushqimi. Shumica e marrin veten shpejt, por disa humbin jetën. Çfarë mund të bësh për të ulur gjasat e helmimit?

  • Gjatë rritjes, perimeve mund t’u hidhet pleh organik, prandaj laji mirë para se t’i hash ose t’i gatuash.

  • Para se të gatuash, laji me ujë të nxehtë e sapun duart, dërrasën e gatimit, enët e kuzhinës dhe banakun.

  • Që një ushqim të mos helmohet nga një tjetër, laje gjithmonë pjatën ose sipërfaqen që më parë ka pasur vezë të pagatuar, mish ose peshk.

  • Gatuaje ushqimin derisa të arrijë temperaturën e duhur dhe fut menjëherë në frigorifer çdo ushqim që do të konsumosh më vonë.

  • Hidhi ushqimet që kanë ndenjur për më shumë se një ose dy orë në temperaturë më të lartë se 32 gradë.

 4 MERRU ME AKTIVITETE FIZIKE

Top dhe këpucë futbolli

Pavarësisht nga mosha jote, bëj aktivitete fizike që të jesh në formë. Shumë njerëz sot nuk janë aktivë sa duhet. Pse janë të rëndësishme aktivitetet fizike? Ato ndihmojnë:

  • Të flesh mirë.

  • Të mos plogështohesh.

  • Të forcosh kockat dhe muskujt.

  • Të ruash ose të arrish peshën e duhur.

  • Të minimizosh rrezikun e depresionit.

  • Të ulësh rrezikun për vdekje të parakohshme.

Nëse nuk merresh me aktivitete fizike, ka më tepër të ngjarë:

  • Të vuash nga sëmundjet e zemrës.

  • Të vuash nga diabeti i tipit 2.

  • Të kesh tension të lartë të gjakut.

  • Të kesh nivel të lartë të kolesterolit.

  • Të pësosh hemorragji cerebrale.

Aktivitetet e përshtatshme për ty varen nga mosha dhe gjendja jote shëndetësore, prandaj do të ishte mirë të konsultoheshe me mjekun para se të filloje një program ushtrimesh. Sipas burimeve të ndryshme, fëmijët dhe adoleshentët duhet të bëjnë çdo ditë të paktën 60 minuta aktivitete me intensitet mesatar deri në të lartë. Të rriturit duhet të bëjnë çdo javë 150 minuta ushtrime mesatare ose 75 minuta ushtrime energjike.

Zgjidh aktivitete që i bën me qejf, si për shembull, të luash basketboll, tenis, futboll, të bësh ecje të shpejtë, t’i japësh biçikletës, të merresh me kopshtari, të presësh dru, të notosh, të lundrosh me kanoe, të vraposh ose të bësh aerobi. Si ta kuptosh nëse një aktivitet është me intensitet mesatar ose të lartë? Në përgjithësi gjatë një aktiviteti mesatar djersin, kurse gjatë aktivitetit me intensitet të lartë mezi flet.

 5 FLI MJAFTUESHËM

Dhomë gjumi e qetë dhe çlodhëse

Sasia e gjumit që nevojitet ndryshon nga njëri te tjetri. Shumica e të sapolindurve flenë 16 deri 18 orë në ditë, fëmijët 1-3 vjeç flenë rreth 14 orë, kurse 3-4 vjeçarët flenë rreth 11 ose 12 orë. Fëmijët në moshën shkollore kanë nevojë për të paktën 10 orë gjumë, adoleshentët ndoshta 9 ose 10 dhe të rriturit 7 deri 8.

Gjumi i mjaftueshëm nuk duhet parë si çështje zgjedhjeje. Sipas ekspertëve, gjumi i mjaftueshëm është i rëndësishëm për:

  • Rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve e të adoleshentëve.

  • Mësimin dhe mbajtjen mend të informacioneve.

  • Ruajtjen e ekuilibrit të hormoneve që ndikojnë te metabolizmi dhe te pesha.

  • Shëndetin kardiovaskular.

  • Parandalimin e sëmundjeve.

Sipas disave, mungesa e gjumit lidhet me obezitetin, depresionin, sëmundjet e zemrës, diabetin dhe aksidentet tragjike. Prandaj, pa dyshim ia vlen të pushojmë sa duhet.

Por ç’mund të bësh nëse kupton që nuk arrin të ngopesh me gjumë?

  • Përpiqu të shtrihesh dhe të ngrihesh në të njëjtin orar çdo ditë.

  • Dhoma ku fle duhet të jetë e qetë, e errët, çlodhëse, as tepër e ngrohtë e as tepër e ftohtë.

  • Mos shih televizor ose mos përdor pajisje elektronike kur je në krevat.

  • Krevati të jetë sa më i rehatshëm.

  • Mos ha rëndë e mos pi kafeinë ose alkool pak para se të flesh.

  • Nëse, edhe pasi i ke zbatuar këto sugjerime, vuan akoma nga pagjumësia ose çrregullime të tjera të gjumit, si përgjumje e tepërt gjatë ditës ose marrje fryme ndërsa fle, ndoshta është më mirë të konsultohesh me një mjek të kësaj fushe.