

Shpërthimi i raketave në Poloni ka vënë në lëvizje faktorin ndërkombëtar, ndërsa e gjithë kjo është shoqëruar me aludime të shumta mbi origjinën e sulmit.
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, u shpreh se nuk ka prova të mjaftueshme dhe konkrete, të cilat do konfirmojnë se sulmi kishte objektiv vendin e tij .
“Ne jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me aleatët tanë të NATO-s. Ne nuk kemi prova të sakta që do të na lejonin të konkludojmë se ishte një sulm ndaj Polonisë. Raketa që ra në Poloni me siguri është e lëshuar nga Ukraina”, tha ai.
Rënia e raketës, e cila i përket sistemit të mbrojtjes kundërajrore të Kievit, tha presidenti polak, ndoshta mund të jetë një ‘aksident fatkeq’.
Për shkak të rënies së raketave në territorin e saj, Polonia ngriti gatishmërinë luftarake dhe po mendohet edhe aktivizimi i nenit 4 të aleancës së NATO-s.
