I sapo konfirmuar në krye të FSHF edhe për 4 vite të tjera, presidenti Armand Duka ka dhënë një intervistë të gjatë për “SportPress 24”, sajtin prestigjoz të sportit në Itali.
Numri 1 i futbollit shqiptar ka folur gjatë për atë që ka ndodhur muajt e fundit me futbollin, ngjarjet e rënda, sulmet politike e deri te zgjedhjet. Dhe pikërisht për zgjedhjet dhe ndërhyrjet politike ai nisi dhe intervistën.
Ka qenë një periudhë e ndërlikuar dhe e paprecedentë. Eksperienca ime në botën e futbollit është e gjatë por një situatë të tillë nuk e kisha ndeshur asnjëherë më parë. Në periudhën përpara zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, për fat të keq, nuk pata mundësi të dëgjoja asnjë alternativë apo program nga konkurrentët dhe kjo është diçka shqetësuese. Nëse dikush kërkon të mbërrijë një destinacion do duhej së paku një projekt alternativ ti prezantohej komunitetit të futbollit në vend. Kjo nuk ndodhi dhe më la një shije shumë të hidhur sepse dua që gjithmonë të flas dhe diskutoj mbi projekte dhe programe e jo për spekulime e akuza boshe që nuk të çojnë askund. Unë shpalosa projektin tim, strategjinë zhvillimore për 4 vitet e ardhshme dhe prita që të kishim një përballje idesh e platformash që do ti shërbente komunitetit të futbollit për të mësuar më shumë mbi projektet e gjithsecilit. Pavarësisht se kjo nuk ndodhi dhe dëgjoja vetëm baltë, kam vendosur të mbaj shënim çdo kritikë, vërejtje apo sugjerim. Jam më shumë se kurrë i fokusuar për të çuar përpara projektet tona të mëdha”.
Më pas Duka u pyet edhe për ngjarjen e rëndë ku u vendos tritol në banesën e tij në Durrës dhe si e përjetoi ai këtë ngjarje kriminale.
“Pa dyshim ka qenë një moment shumë i vështirë për mua. Familja ime ka qenë në shtëpi në momentin e shpërthimit dhe për ta ka qenë edhe më e vështirë. Për fat të mire, dëmet kanë qenë vetëm materiale, ndërkohë që sot që flasim nuk ka ende asnjë autor të vënë para drejtësisë për atë sulm. Momenti i parë ishte shokues, sigurisht, por, pasi mblodha veten, vendosa që të mos dorëzohem dhe të vazhdoj përpara me misionin tim. Familja më ka mbështetur shumë në çaste të vështira dhe nëse do të tërhiqesha pas këtij sulmi të rëndë do të më dukej sikur po i tradhtoja. Ndihem i obliguar ndaj tyre, por edhe karshi familjes së madhe të futbollit, që ka qenë më e bashkuar se kurrë në këto kohë të vështira”.
Në intervistën e tij të gjatë, Duka pyetet për arritjen e tij më të madhe në krye të FSHF për lobimin për Kosovën dhe në fund edhe për finale e Confenrence League në Tiranë.
“E kam thënë edhe atëherë dhe e them sërish, çështja e Kosovës nuk ishte aspak politike. Unë i kam kërkuar UEFA-s dhe anëtarëve të saj, që fëmijëve të Kosovës të mos u mohohet futbolli. Kur përfaqësuesi i Zvicrës po ankohej pas njohjes së Kosovës, se mund t’i largoheshin 5 futbollistë, mbaj mend të kem thënë: “Shqipërisë mund t’i largohet gjysma e skuadrës, por kjo nuk do të thotë që ne duhet t’u mohojmë fëmijëve të këtij vendi të drejtën për të ëndërruar që një ditë do të luajnë me kombëtaren e tyre. Kam bërë gjithçka që Kosova të pranohej në UEFA e FIFA dhe për këtë ndihem krenar. Arritja më e madhe ka qenë pjesëmarrja në finalen e EURO 2016. Më është dukur vetja si në ëndërr kur shikoja Kombëtaren shqiptare të luante në fazën finale të një turneu ndërkombëtar mes ekipeve më të mira të Europës. Gjithashtu, ende më duket e pabesueshme kur shoh stadiumin tonë kombëtar “Air Albania”, një impiant modern e që ofron kushte dinjitoze, njësoj si stadiumet më të mira të Europës. Ne kemi punuar shumë, prej vitesh, për të arritur që kjo finale të zhvillohet në Tiranë. Një staf i dedikuar i FSHF ka punuar për plotësimin e një dokumentacioni sa më të plotë dhe në nivel profesional. Gjithashtu një pjesë e madhe e stafit të FSHF po bashkëpunon ngushtë me organizatorët për të arritur maksimumin, që kjo finale jo vetëm të jetë një perfeksion nga mënyra e organizimit, por të japë një imazh sa më të mirë, jo vetëm për Tiranën por për të gjithë Shqipërinë. Besoj shumë se e gjithë kjo punë e deritanishme nuk do të shkojë dëm, duke shpresuar në bashkëpunimin me të gjitha strukturat e shtetit shqiptar për të qenë sa më të vlerësuar si vend dhe si structure”, deklaroi në intervistën e tij, kreu i FSHF, Armand Duka./Ora News/.