Sulmi i Kullave Binjake, 24 vite nga tragjedia në SHBA

0
2

Më 11 shtator 2001, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u goditën nga sulmi më i rëndë terrorist në histori, i njohur gjerësisht si “9/11”. Në këtë ditë, 19 terroristë të lidhur me grupin islamik ekstremist al-Kaeda morën peng katër avionë pasagjerësh dhe i përdorën si armë për të goditur simbolet kryesore të fuqisë amerikane.

Dy avionët e parë, të nisur nga Bostoni, u përplasën në Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju-Jork Kulla Veriore në orën 8:46 të mëngjesit dhe Jugorja në 9:03. Brenda një ore e 42 minutash, të dy kullat u shembën, duke shkaktuar vdekjen e mijëra personave dhe shkatërrimin e ndërtesave përreth. Njerëzit që ndodheshin në katet e sipërme, të bllokuar nga flakët dhe tymi, u hodhën nga dritaret në përpjekje të dëshpëruara për t’u shpëtuar flakëve.

Avioni i tretë u përplas në Pentagon selia e Departamentit të Mbrojtjes në Uashington  në orën 09:37, duke dëmtuar rëndë ndërtesën dhe duke shkaktuar viktima të tjera. Ndërkohë, avioni i katërt, pasi pasagjerët mësuan përmes telefonatave se çfarë po ndodhte, u përpoqën të ndalonin terroristët. Ata u përleshën me ta dhe avioni u rrëzua në një fushë të Pensilvanisë në orën 10:03. Hetimet zbuluan se objektiva të mundshëm të këtij avioni ishin Shtëpia e Bardhë ose Kapitoli.

Në total, 2,977 persona humbën jetën, përfshirë 343 zjarrfikës që morën pjesë në operacionet e shpëtimit. Mijëra të tjerë u plagosën dhe dëmet materiale u vlerësuan në dhjetëra miliarda dollarë. Zona e prekur në Nju-Jork, e njohur si “Ground Zero”, mbeti për muaj me radhë nën rrënoja dhe tym. Rindërtimi i Pentagonit përfundoi në një vit, ndërsa ndërtimi i qiellgërvishtësit të ri “One World Trade Center” nisi në 2006 dhe përfundoi në vitin 2014. Sot, aty ndodhet një memorial dhe muze që nderojnë viktimat.

Menjëherë pas sulmeve, SHBA-të mbyllën të gjitha fluturimet në hapësirën ajrore të Amerikës së Veriut. Brenda ditës, CIA njoftoi presidentin George W. Bush se Osama bin Laden, lideri i al-Kaedës, ishte organizatori kryesor i sulmit. Sulmet u interpretuan si hakmarrje ndaj mbështetjes amerikane për Izraelin, pranisë ushtarake në Lindjen e Mesme dhe influencës së Perëndimit në botën islame.

SHBA-të u përgjigjën duke nisur një ofensivë të madhe ushtarake kundër talebanëve në Afganistan më 7 tetor 2001, pasi këta refuzuan të dorëzonin bin Ladenin. Kjo shënoi përdorimin për herë të parë të Nenit 5 të traktatit të NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Një koalicion ndërkombëtar u formua për të ndjekur terroristët, për të rrëzuar regjimin taleban dhe për të vendosur një qeveri demokratike.

Në vitin 2003, SHBA-të dhe aleatët pushtuan Irakun, duke rrëzuar diktatorin Sadam Hysein. Pushtimi u arsyetua si parandalim i përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, megjithëse prova të tilla nuk u gjetën kurrë. Luftërat në Afganistan dhe Irak zgjatën për dekada dhe rezultuan me vdekjen e mbi 4.5 milionë njerëzve, përfshirë civilë dhe ushtarë nga të gjitha palët.

Pas një kërkimi të gjatë, Osama bin Laden u zbulua se po fshihej në një kompleks të izoluar në Abotabad, Pakistan. Më 2 maj 2011, një njësi e forcave speciale amerikane (Navy SEALs) ndërhyri dhe e vrau atë. Presidenti Barack Obama ndoqi operacionin drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë dhe më pas njoftoi personalisht ish-presidentin Bush për vdekjen e terroristit më të kërkuar në botë.

Lufta kundër terrorizmit solli edhe kritika të ashpra ndaj SHBA-ve, veçanërisht për metodat hetimore të përdorura ndaj të dyshuarve. Teknikat si simulimi i mbytjes dhe transportimi i të burgosurve në vende ku tortura ishte e lejuar, u cilësuan si shkelje të të drejtave të njeriut nga organizata ndërkombëtare si Amnesty International.

Në qendër të këtyre kritikave ishte edhe burgu i Guantanamos në Kubë, ku mbaheshin me vite të dyshuar për terrorizëm pa gjyq ose akuza formale. Nga 780 të burgosur në total, shumica u liruan, por disa mbeten ende atje sot.

Ngjarjet e 11 Shtatorit mbetën thellësisht të ngulitura në kujtesën kolektive amerikane dhe botërore. Shumë njerëz kujtojnë saktësisht se ku ishin dhe çfarë po bënin kur panë në ekranet televizive goditjen e Kullave Binjake. Fillimisht mendohej si një aksident, por kur avioni i dytë goditi kullën tjetër, u bë e qartë se ishte një sulm i planifikuar.

Edhe pas 24 vitesh, 11 Shtatori mbetet një pikë kthese historike një ditë që ndryshoi rrjedhën e politikës globale, strategjisë ushtarake dhe jetën e miliona njerëzve në mbarë botën. Ai u shndërrua në simbol të dhimbjes, por edhe të reagimit të fuqishëm dhe të diskutueshëm të botës ndaj terrorizmit.