Sulmi kibernetik nga iranianët, reagon Kuvendi: Ka pasur tentativë për fshirje të të dhënave, po punohet për rikuperim të plotë

0
111

Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar një ditë pas sulmit kibernetik nga hakerat iranianë ndaj faqes zyrtare të këtij institucioni. Në reagim thuhet se ka pasur tentativë për fshirje të të dhënave. Por Kuvendi siguron se nuk janë prekur të dhënat në sistem dhe se ekspertët po punojnë për të zbuluar se çfarë pasojash ka sjellë ky sulm.

Kuvendi i Shqipërisë:

Gjatë ditës së djeshme është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas ekspertëve, nga ky sulm është synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave.

Ju bëjmë me dije se nuk janë prekur të dhënat në sistem dhe ekspertët janë angazhuar plotësisht, që prej momentit kur kanë detektuar këtë ndërhyrje nga jashtë institucionit.

Ekspertët e IT po punojnë për të zbuluar se çfarë pasojash ka sjellë ky sulm në sistemin e Kuvendit të Shqipërisë.

Për sa më sipër, dalja LIVE e shërbimeve kërkon kohë pasi po kontrollohen të gjitha detajet dhe vijon puna për të kthyer në normalitet faqen e Kuvendit të Shqipërisë.