Një sërë operacionesh kërkimi janë marrë gjatë natës pas sulmit terrorist në Stamboll që vrau 6 persona ndërsa u plagosën 81 persona.
Gjithashtu mësohet se është arrestuar një grua e cila dyshohet se është autore e atentatit. Policia ka publikuar dhe pamjet e momentit të arrestimit.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 16:20 me orën lokale (13:20 GMT) të dielën në një rrugë tregtare në zonën e Sheshit Taksim.
Zëvendëspresidenti Fuat Oktay tha më herët se shpërthimi mendohej të ishte një sulm terrorist i kryer nga një grua, raporton BBC.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se autorët do të ndëshkohen.
Atentati
Duke folur në një konferencë shtypi në Stamboll, ai dënoi atë që ai e quajti “sulmin e poshtër” dhe tha se “era e terrorit” ishte në ajër.
Ministri i Drejtësisë Bekir Bozdag tha për mediat turke se një grua ishte ulur në një stol në zonë për më shumë se 40 minuta, duke u larguar vetëm disa minuta para se të ndodhte shpërthimi
Të hënën në mëngjes, Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se një person i dyshuar se kishte lënë bombën ishte arrestuar nga policia dhe akuzoi Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) për përgjegjësi.
PKK është një grup militant që bën thirrje për një shtet të pavarur kurd brenda Turqisë. BE dhe SHBA e konsiderojnë atë si një organizatë terroriste.
Askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.
Ministri i qeverisë Derya Yanik shkroi në një postim në Twitter se një punonjës i ministrisë së qeverisë dhe vajza e tij e vogël ishin mes viktimave.