Superligë me 12 ekipe, FSHF mendon sërish për ndryshim skeme

0
178

Nuk dihet nëse do të ndodhë, por kështu duket. Në Federatën Shqiptare të Futbollit e kuptojnë se ky format i Superligës nuk po ndez, ndaj edhe po mendojnë për një tjetër ndryshim, teksa në institucionin kryesor të këtij sporti po diskutohet për një skemë të re, tashmë jo me 10 skuadra, por me 12.

Sipas kësaj formule, do të anullohet faza “play-off”, në fund me 4 ekipe për të përcaktuar titullin kampion. Kjo, sepse prania e tifozëve në stadiume ka qenë e ulët këtë edicion, dhe kjo duket për shkak të skemës.

E vërteta është që mundësia për të luajtur me 12 ekipe u diskutua verën e kaluar, pikërisht kur u përcaktua formati i ri dhe mendohet që për këtë ide është folur në takimin me klubet e Superligës, mbajtur dy ditë më parë në selinë e Federatës për strategjitë për të promovuar më shumë Superligën.

Hera e fundit kur u luajt me 12 skuadra në Shqipëri, ishte në 2013-2014, pra po mbushen 10 vjet. Për 9 sezone radhazi u luajt me 10 ekipe dhe me katër faza, ndërsa vetëm, këtë edicion u shtua faza “play-off” në fund, me dy gjysmëfinale dhe me finalen, ndeshje që do të luhen në “Arenën Air Albania”. /i.m /abcnews.al