Sylvinho: Nuk jemi Gjermania që të fitojmë 6-0. Në grup na mundi vetëm Anglia

0
2

Trajneri Sylvinho, pas kualifikimit në “playoff”-in e Botërorit falë fitores 1-0 ndaj Andorrës deklaroi se të gjithë shqiptarët sot duhet të festojnë, duke lënë mënjanë kritikat për lojën dhe rezultatin e ngushtë.

“Ne duhet t’i respektojmë kundërshtarët. Ne po rritemi dhe po bëjmë mirë. Por, nuk jemi Gjermania që shkon e fiton 6-0 ndaj Andorrës. Ndokush mund të thotë se Andorrës i bëhen 6 gola, por është e vështirë. Ndeshja mbaroi dhe po festojmë. Unë ende nuk e kam kuptuar që për herën e parë po shkojmë në “playoff” dhe është një natë e mrekullueshme”, tha Sylvinho.

“Unë mendoj se duhet të festojë i gjithë vendi. Nuk ka ndodhur kurrë më parë kjo që u arrit. Kemi humbur vetëm ndeshjen në Angli, nuk mendoj se është pak. Nuk e di nëse ndonjëri nuk është i kënaqur, por të humbësh vetëm një ndeshje, të arrish play-off me një ndeshje para fundit, nëse ndonjë nuk është i kënaqur, nuk është problem për mua”, shtoi Sylvinho.

Sa i përket kundërshtarit që do të preferonte në “playoff”, Sylvinho u shpreh: “Unë e kam thënë që nuk e mendoja “playoff”-in, nuk e di kush ishim. Tani po fillojmë të mendojmë për të, tani të punojmë për marsin. Duhet të përqendrohemi te skuadra dhe grupi, sot jam krenar për të gjithë djemtë”. (A2 Televizion)