E ka të qartë se gjithmonë, gjithçka niset nga vetja. Trajneri i kombëtares shqiptare, Silvinjo, pati kritika të forta për lojtarët e tij pas barazimit pa gola në Letoni, që na pakëson shanset për vendin e dytë dhe për të shkuar në plej ofin për Kupën e Botës.
Silvinjo pohoi atë që panë të gjithë, se kuqezinjtë nuk hynë në fushë siç duhet, diçka për të cilën edhe ai ka përgjegjësi.
“Unë pashë që në 45 minutat e para gabuam shumë. Në radhë të parë qasjen ndaj ndeshjes në 15 minutat e para. Topi qarkullohej shumë ngadalë. Shkaktuan penallti, e para penallti në 2 vjet e gjysmë. Mirë që Strakosha u tregua I fortë dhe e priti, dhe na rifuti në lojë. Shumë mirë Strakosha në atë moment, na shpëtoi. Shënuam gol, dhe kjo na jepte pak më shumë qetësi për të shkuar në pushim. Gjithsesi, në 10 minutat e fundit të pjesës së parë bëmë sërish shumë gabime. U lejuam atyre dy-tre goditje nga këndi. Skuadra ishte pak e shqetësuar, e pasigurt, dhe pastaj erdhi goli I barazimit”.
Sipas trajnerit, lojtarët nuk e kuptuan mirë rëndësinë e objektivit për të shkuar në Botëror, ose nuk patën aq shumë besim.
“Pjesa e dytë ishte më e mirë. Fola në pushim me lojtarët. E rritëm ritmin e lojës, por kur kemi një objektiv të tillë nuk mund të shkosh dëm 45 minuta. Dakord, pjesa e dytë ishte e mirë e ndoshta meritonim diçka më shumë, por nuk ka kuptim ta themi këtë. Futbolli nuk është kështu, jeta nuk është kështu. Nuk mund të shkosh dëm 45 minuta. Ne duhet të kuptojmë se kemi një objektiv. Ky objektiv është I vështirë, siç janë gjithmonë objektivat. Ne kurrë nuk kemi qenë në një Botëror, por duhet të përpiqemi që t’ia dalim. Nuk mund të gabojmë. Kur luan mirë 90 minuta, apo 95, atëherë jemi në rregull, por kur shpërdoron 45 minuta kjo ka kosto. Më vjen keq për paraqitjen e pjesës së parë, gabuam. Jam I zhgënjyer, kuptohet edhe për rezultatin. Le të vazhdojmë përpara, rruga është në të përpjetë, dhe ne duhet të përmirësohemi”.