Sytë nga rrushi e vera, 1000 ekspertë ndërkombëtarë do të sjellin konsulencë

0
85

Nga mbjellja e hardhisë dhe krijimi i verës e deri tek etiketimi i konteinerëve përfundimtarë, vendi ynë pritet të zhvillohet edhe më tej në këtë sektor. Një vëmendje e veçantë është drejtuar ndaj zhvillimit të këtyre produkteve në projektligjin e depozituar në Kuvend për “Aderimin në marrëveshjen për themelimin  e organizatës ndërkombëtare të vreshtarisë dhe verës”.

Shqipërisë do t’i vihen në dispozicion 1000 ekspertë për dhënien e konsulencës në zhvillimin e vreshtarisë dhe verës cilësore sipas standarteve: “Shqipëria si vend prodhues dhe konsumues i rrushit dhe verës do të marrë informacionin dhe asistencën e nevojshme për të zhvilluar rregullore për harmonizimin ndërkombëtar të praktikave dhe standardeve ekzistuese për të minimizuar barrierat ndaj tregtisë, për të promovuar prodhimin e qëndrueshëm, si dhe për të mbrojtur konsumatorët”.

Shqipëria pritet të përfitojë si në zhvillimin e sektorit brenda vendit, por edhe shitjen e produkteve ndërkombëtarisht. Ky projektligj mirëpritet nga specialistët në vend, por konsiderohet i vonuar.

Gazmend Shehi, nga Shoqata e Prodhuesve të Verës Familjare, shprehet: “Duhet të ishte përshtatur më shpejt me rregulloret e BE. Ky ligj duhet të sjellë një rregullsi sa i përket tregut të verërave dhe të mbrojë origjinën e prodhuesve tanë. Gjithashtu, edhe me VKM që të përshtaten të gjitha rajonet ku është zhvilluar vreshtaria”.

Aktualisht, ky sektor vuan një sërë problematikash nga krijimi i një kadastre të plotë të vreshtarisë, por edhe certifikimi përfundimtar i produktit.

Lush Susaj, profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, tregon se teknologjia në vend nuk i plotëson kriteret: “Jashtë kuadrit ligjor dhe teknologjive bashkëkohore. Vreshtarisë sonë i mungon themeli i industrisë së verës. As edhe një investim i BE-së nuk ka shkuar te ligji, rajonizimi, kloni, marka, standardet. Zëmë vendin e 45 për nga sipërfaqja me vreshta dhe 50 për nga konsumi i verës për frymë të popullsisë”.

Me aderimin në këtë marrëveshje, Shqipëria do të azhornohet me standarde të harmonizuara dhe të pranuara ndërkombëtarisht për prodhimin e produkteve të vreshtarisë dhe verës. Problem ky që ka ndikuar dhe në situatën e eksporteve shqiptare.

“Po të marrësh raportin e tregtisë së jashtme për këtë është 1 me 470. Domethënë, për një litër verë që shesim, blejmë 470 nga jashtë”, tregon Susaj.

Shqetësuese për prodhuesit shqiptar mbetet mbizotërimi i verërave të importit ku në shifra jozyrtare ekspertët e sektorit thonë se kjo sasi vere zë rreth 70% të tregut. Ata sugjerojnë rishikimin e kuotave të importit.